Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është bërë publik në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Nisma, e cila ka marrë tashmë miratimin në lexim të parë, përfshin një sërë ndryshimesh të rëndësishme në kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.
Ndër propozimet kryesore është përcaktimi më i ngushtë i juridiksionit të Speciales, duke e lidhur atë me pretendimet e veçanta të paraqitura në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Projektligji parasheh gjithashtu që periudha kohore nën juridiksion të jetë nga 1 korrik 1999 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa kompetenca territoriale do të kufizohej vetëm në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës.
Një tjetër ndryshim lidhet me dënimin maksimal, i cili propozohet të mos jetë më i lartë se 15 vjet burgim.
Rastet që, pas ndryshimit të juridiksionit, nuk do të binin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara do t’u kalonin institucioneve të Kosovës.
Ndryshimet parashikojnë edhe mundësinë e paraqitjes së ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që kanë të bëjnë me juridiksionin.
Sipas projektligjit, të dënuarit do të mund të vuajnë dënimet në Kosovë, ndërsa personat e dënuar me vendim të formës së prerë mund të përfitojnë nga falja presidenciale.
Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve, parashihet edhe rishqyrtimi i juridiksionit për rastet ekzistuese.
Kuvendi i Kosovës e miratoi projektligjin në lexim të parë me 91 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.
Nuk dihet ende nëse projektligji do të shqyrtohet në lexim të dytë gjatë ditës së sotme.
