‘Hartë kriminale dhe shpopulluese’, Blushi: Shkrini bashki pa konsultim me banorët, po votoni projekt antikombëtar

12:27, 05/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Komisioni i Ligjeve, deputeti i PL, Tedi Blushi ka kundërshtuar draftin e reformës territoriale të mazhorancës, duke e cilësuar hartën e re si “kriminale, diktatoriale, antikombëtare dhe shpopulluese”.

Blushi tha se projekti nuk lidhet me zgjedhjet, por me një reformë që prek jo vetëm 15 bashkitë që parashikohet të shkrihen, por të gjithë territorin e vendit.

Ai akuzoi mazhorancën se po e çon përpara projektin pa konsultim me bashkitë, banorët dhe drejtuesit vendorë, ndërsa tha se edhe qytetarë e kryebashkiakë kanë protestuar kundër ndryshimeve.

“Çfarë po votoni sot? Çfarë projekti po votoni sot?”, u shpreh Blushi, duke u bërë thirrje deputetëve të mos marrin një vendim që do të ndikojë në jetën e qindra mijëra familjeve.

Tedi Blushi: Qëndrimi im do të jetë shumë i qartë: kjo nuk është një hartë elektorale. Do të doja të ishte e tillë. Kjo është një hartë kriminale, është një hartë diktatoriale, është një hartë antikombëtare dhe është një hartë shpopulluese.

Kjo hartë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet, por ka lidhje me një projekt që, për fat të keq, po duartrokitet edhe nga ju, deputetë, një projekt për shpopullimin dhe shkëputjen e jo vetëm të 15 bashkive, por të gjithë Shqipërisë.

Unë nuk e kuptoj se si keni guximin sot, në këtë komision, të mbroni një projekt ku edhe vetë votuesit e partisë suaj, votuesit tuaj, kanë dalë sot në protestë para Kuvendit.

Sot në protestë kanë dalë dhe kryetarë bashkie, të cilët nuk shkrihen, pra nuk i kap lapsi juaj. Janë dhe ata në protestë, kundërshtojnë një projekt që nuk është konsultuar me askënd, as me bashkitë që shkrihen, as me banorët e këtyre zonave, as me banorët apo kryetarët e bashkive, të cilëve ju do t’u ngarkoni edhe disa fshatra, qytete mbi shpinë.

Çfarë po votoni sot? Çfarë projekti po votoni sot?

Përse nuk keni kurajon të dilni nga një urdhër kriminal që do t’ju marrë në qafë të gjithëve? Çdo vendimmarrje tuajën do t’ju përndjekë gjithë jetën, në punë, në rrugë, në kafene, kudo që të shkoni, sepse asnjëri prej jush nuk ka autoritetin, mandatin, të marrë vendime për jetën e qindra mijëra familjeve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco