Aktualitet

Viti i ri akademik, ministrja Spahiu nga Universiteti i Mjekësisë: Përdorni dijen, përqafoni teknologjinë, por mos e humbni kurrë humanizmin!

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka përcjellë një mesazh për studentët e Mjekësisë me rastin e nisjes së vitit të ri akademik.

Spahiu theksoi se mjekësia po përballet me ndryshime të shpejta, të nxitura nga zhvillimi i teknologjisë, inteligjencës artificiale, diagnostikimit të avancuar dhe kërkimit shkencor.

“Sot, në nisje të vitit të ri akademik 2026–2027, pata kënaqësinë t’u drejtohem studentëve të Mjekësisë, në një ditë të veçantë të rrugëtimit të tyre. Mjekësia që do të ushtrojnë ata nesër nuk do të jetë e njëjtë me atë që kemi ushtruar ne dje. Teknologjia, inteligjenca artificiale, diagnostikimi i avancuar dhe kërkimi shkencor po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën se si kujdesemi për shëndetin”, tha ajo.

Spahiu tha se mënyra se si do të ushtrohet profesioni i mjekut në të ardhmen do të jetë ndryshe nga ajo e dekadave të mëparshme, për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme në shkencë dhe teknologji.

“Por, përtej çdo inovacioni, mbetet një e vërtetë themelore: mjekësia është dhe do të mbetet profesion i njerëzve për njerëzit. Përdorni dijen, përqafoni teknologjinë, kërkoni gjithmonë më shumë, por mos e humbni kurrë humanizmin. Sepse mjeku i së ardhmes duhet të ketë teknologjinë në duar, shkencën në mendje dhe njeriun në qendër të çdo vendimi. Suksese në këtë rrugëtim të bukur dhe fisnik!”, theksoi Spahiu.

Këtë të hënë ka nisur viti i ri akademik në të gjitha universitetet e vendit. Universiteti i Tiranës mbetet zgjedhja e parë e maturantëve.

Sipas të dhënave në të gjithë vendin janë gjithsej 120 mijë studentë, ku 20 mijë prej tyre janë në vitin e parë.

Edhe këtë vit peshën më të madhe të pranimeve e mbajnë universitetet publike, ku 70% e të rinjve kanë zgjedhur univeristetet publike dhe 30% universitetet private.

Ndërkohë degët më të preferuara nga maturantët janë Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia, Inxhinieria, Arkitektura, Teknologjia e Informacionit,  të ndjekura nga programet ekonomi-financë.