Bota

Oleshki në prag të katastrofës humanitare, banorët ukrainas mes dëshpërimit pas pushtimit rus: Po vdesim urie, s’e shtyjmë dot vjeshtën!

Qyteti ukrainas i Oleshkit, rreth 9 kilometra nga Khersoni, ndodhet në prag të një katastrofe humanitare, ndërsa banorët e mbetur në zonë po përballen me mungesa të rënda të ushqimit, ujit të pijshëm, ilaçeve dhe energjisë elektrike. Qyteti ka qenë nën pushtimin rus pothuajse që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Situata është përkeqësuar ndjeshëm pas shkatërrimit të hidrocentralit të Kakhovkës në vitin 2023, që shkaktoi përmbytje të mëdha dhe dëme të konsiderueshme në zonën e Khersonit.

Sipas autoriteteve ukrainase dhe dëshmive të banorëve, furnizimet ushqimore janë drejt fundit, ndërsa ekipet ukrainase po përpiqen të dërgojnë ushqime në zonën e pushtuar përmes dronëve. Një banor i Oleshkit i ka dërguar administratës ukrainase, e zhvendosur në një zonë tjetër, një mesazh ku përshkruan ushqimet që i kanë mbetur: një panxhar, pesë patate, një qepë, një kungulleshkë, një domate dhe pak elb.

“Po përgatisim ushqimin tonë të fundit”, shkroi ai, ndërsa një tjetër banor tha: “Ne hamë një herë në ditë”. “Patjetër që do të vdesim këtë vjeshtë. Unë tashmë po vdes, po dobësohem çdo ditë”, thuhet në një tjetër mesazh.

Oleshki dikur kishte rreth 24 mijë banorë, por lufta dhe pushtimi kanë shkaktuar një largim masiv të popullsisë. Sipas vullnetarëve ukrainas, deri në fund të shtatorit në qytet kishin mbetur më pak se 2 mijë persona, mes tyre rreth 50 fëmijë. Vullnetarja ukrainase Iryna-Ester Vrataryeva, e cila është përfshirë në evakuimin e mijëra personave nga zonat e pushtuara nga Rusia, e përshkroi situatën në Oleski si “ferr”.

“Uria ka arritur në një pikë të tillë sa, në rastin më të mirë, një person mund të hajë një supë të hollë dhe disa lugë me një lloj qulli brenda një dite”, tha ajo, duke shtuar se banorët kanë mbetur pa ushqim, ilaçe, kujdes mjekësor, zjarrfikëse dhe para.

Situata është përkeqësuar edhe nga përmbytjet e shkaktuara pas shkatërrimit të digës së Kakhovkës. Ukraina ka fajësuar Rusinë për shkatërrimin e saj, ndërsa në atë kohë diga ishte nën kontrollin e forcave ruse.