Quhet Maricarmen Abascal, është 87 vjeçe, me aftësi të kufizuara dhe për më shumë se shtatë dekada kishte jetuar në të njëjtën banesë në Madrid.
Por historia e saj, që nisi si drama personale e një pensionisteje përballë tregut të shfrenuar të qirave, përfundoi duke u kthyer në simbolin e krizës së strehimit që ka tronditur politikën spanjolle.
Më 23 shtator, Maricarmen u nxor nga shtëpia ku kishte jetuar rreth 71 vjet. Pamjet e saj duke dalë me barelë, ndërsa jashtë ndërtesës protestonin dhjetëra qytetarë, u përhapën me shpejtësi në Spanjë.
Prona kishte kaluar në duart e kompanisë Urbagestión. Sipas raportimeve spanjolle, qiraja që paguante Maricarmen ishte rritur në një nivel të papërballueshëm për të ardhurat e saj. Rasti shkaktoi aq shumë zemërim sa u shndërrua në simbol të debatit kombëtar mbi qiratë, dëbimet dhe fondet e mëdha që blejnë prona në qytetet spanjolle.
Presioni publik dha një rezultat të parë. Pesë ditë pas dëbimit, Urbagestión, familja dhe përfaqësuesit e Maricarmen arritën një marrëveshje që 87-vjeçarja të rikthehej në shtëpinë e saj, me një qira që nuk kalon 30% të të ardhurave neto.
Por “efekti Maricarmen” tashmë kishte dalë shumë përtej derës së apartamentit të saj.
Qeveria e Pedro Sánchez miratoi dy dekrete emergjente për strehimin, që parashikonin ndër të tjera mbrojtje më të madhe për qiramarrësit vulnerabël dhe kufizime ndaj dëbimeve. Por më 2 tetor, Kongresi i rrëzoi masat me votat kundër të Partisë Popullore, Vox dhe Junts.
Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Madridit dhe qyteteve të tjera spanjolle, duke e kthyer krizën e strehimit në një nga çështjet kryesore të përplasjes me qeverinë.
Protestuesit kërkuan uljen e qirave, mbrojtje nga dëbimet dhe masa kundër spekulimit me banesat. Në Madrid, Delegacioni i Qeverisë e vlerësoi pjesëmarrjen në rreth 70 mijë persona, ndërsa organizatorët deklaruan se në protestë kishin marrë pjesë rreth 500 mijë.
Në krye të marshimit u shfaq edhe thirrja për një grevë të përgjithshme. Kriza e banesave, prej kohësh një nga problemet më të ndjeshme sociale në Spanjë, ishte kthyer në krizë politike.
Goditja parlamentare ndaj qeverisë së pakicës së Sánchez dhe protestat masive e vendosën kryeministrin përballë vendimit më të rëndësishëm të mandatit.
Të hënën, më 5 tetor, kryesocialisti Pedro Sánchez njoftoi se Spanja do të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor 2026, duke i dhënë fund legjislaturës përpara afatit të saj normal.
Kështu, një grua 87-vjeçare që vetëm pak ditë më parë luftonte për të mos humbur shtëpinë ku kishte kaluar pothuajse gjithë jetën, u kthye në simbolin e një revolte shumë më të madhe.
Historia e saj u kthye në simbol të zemërimit për krizën e strehimit, ndërsa përplasja politike që pasoi përfundoi me vendimin e kryeministrit për t’ua kthyer fjalën zgjedhësve më 29 nëntor.
Lini një Përgjigje