Bylykbashi: Rama po e çon Shqipërinë drejt ‘një bashkie të vetme’, 15 bashkitë kundërshtojnë reformën

12:41, 05/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve projektligjin për reformën territoriale, duke akuzuar mazhorancën se ka refuzuar kërkesën e opozitës për ndërprerjen e shqyrtimit dhe pezullimin e procesit deri në konsultimin e projektligjit tjetër.

Bylykbashi tha se vendimi i grupit parlamentar socialist po i mbivendoset Kushtetutës dhe interesit të komuniteteve, ndërsa e cilësoi reformën si një proces që synon përqendrimin e pushtetit.

Sipas Bylykbashit, shumica e 15 bashkive të prekura, këshillat bashkiakë dhe komunitetet janë shprehur kundër propozimit. Ai akuzoi mazhorancën se po synon të ndryshojë hartën territoriale për arsye elektorale, duke “zhdukur” mundësitë e opozitës për një garë të ndershme dhe duke ndryshuar rregullat pak para zgjedhjeve. “Që të fitoni në tryezë duke bërë gjeometri elektorale”, deklaroi Bylykbashi.

Bylykbashi: Kërkesave tona për ndërprerjen e shqyrtimi të këtij projekt-ligji dhe pezullimit derisa të vinte konsultimi i projekt-ligjit tjetër, ju e refuzuat dhe sigurisht që ju keni marrë një vendim politik në grupin parlamentar dhe ky vendim i mbivendoset kushtetutës. Fati i keq për ato 15 bashki tashmë ka rënë por ne kemi për detyrë që këtë t’ja themi sa më fortë, sa më qartë dhe gjatë nëse është e nevojshme, opinionit publik. Interesin publik, demokracinë, përfaqësimin, vetëqeverisjen, interesat e komuniteteve, kulturore, ekonomike, traditat, nuk mund t’i vrasë një pasqyrim kompjuterik i propozuesve. Ku me disa pika përpiqen të justifikojnë se përse duhet të vriten këto bashki. Masakruan bashkitë para 12 vitesh, nga 373 bashki dhe komuna dhe tani vijon projekti i Edi Ramës për ta kthyer Shqipërinë në një bashki të vetme. Nuk i ka dalë shpirti nga kryetarllëku i bashkisë. Ajo që ne po asistojmë është fundi i një procesi ku pushteti synohet nëpërmjet votës tuaj si mazhorancë për t’ja çuar në dorë një individi të vetëm.

Bëni ç’të doni ju kolegë socialistë, por ne që përfaqësojmë zërin e njerëzve që u ka ardhur shpirti në majë të hundës dhe sot po protestojnë atje jashtë dhe konsultën publike e keni atje dhe atë ekran lidheni me protestën që edhe propozuesit të kuptojnë ç’po bëjnë.

Kjo është një nga reformat kushtetuese më të rëndësishme që një vend bën dhe është një nga reformat që kur bëhen bëhen një herë e mirë, në mënyrë të zgjuar dhe të mençur, duke u konsultuar në mënyrë që të qëndrojë sa më gjatë. Se sa mençur e kishin menduar para 12 vitesh është fakti që po e ndryshojnë prap. Vetëm moda ndryshon më shpejtë se kjo reforma e Edi Ramës.

Të gjithë deputetët firmosës janë deputetë të rinj të cilët kanë marrë përsipër të fshehin nismën e Edi Ramës. Deputetët me eksperiencë e kanë pasur të vështirë të vënë firmën.

Nëse shohim përgjigjet e 15 bashkive, pothuajse të gjithë kryetarët, pjesa dërrmuese e tyre kanë shprehur opinionin kundër. Pjesa dërrmuese e këshillave bashkiakë kanë marrë vendim kundër. Komunitetet janë shprehur kundër dhe i keni parë edhe në media që protestojnë madje grisin edhe teserat e PS.

Nuk protestojnë vetëm ato bashki që drejtohen sot nga opozita dhe ju doni t’i zhdukni për arsye elektorale. Që të zhdukni mundësitë e opozitës për të bërë një betejë të ndershme. Që të fitoni në tryezë duke bërë gjeometri elektorale sepse ndryshe nuk u del llogaria. Që të ndryshoni rregullat pak përpara zgjedhjeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco