Sezoni i Çmimeve Nobel për vitin 2026 nis sot në Stokholm me shpalljen e laureatit për Fiziologji ose Mjekësi nga Instituti Karolinska. Emrat e kandidatëve mbahen sekret dhe Komiteti Nobel nuk ka dhënë të dhëna për favoritët. Çmimi Nobel për Fiziologji ose Mjekësi i vitit 2025 iu dha amerikanëve Mary E. Brunkow dhe Fred Ramsdell, si dhe japonezit Shimon Sakaguchi, për zbulimet e tyre mbi tolerancën imune periferike, një mekanizëm që ndihmon në parandalimin e sulmit të sistemit imunitar ndaj vetë organizmit. Sipas Institutit Karolinska, këto zbulime kanë rëndësi për kuptimin e sëmundjeve autoimune, përfshirë diabetin e tipit 1, artritin reumatoid dhe lupusin. Nga viti 1901 deri në vitin 2025, Çmimi Nobel për Fiziologji ose Mjekësi është dhënë 116 herë dhe u është akorduar gjithsej 232 laureatëve. Pas Mjekësisë, të martën do të shpallet Çmimi Nobel për Fizikë, të mërkurën ai për Kimi dhe të enjten Çmimi për Letërsi. Çmimi Nobel për Paqe do të shpallet të premten, ndërsa Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobelit do të bëhet i ditur më 12 tetor. Vlera e secilit çmim këtë vit është 12 milionë korona suedeze, rreth 1.09 milionë euro. Shuma ndahet sipas numrit të laureatëve, në rast se çmimi i jepet më shumë se një personi. Ceremonia e ndarjes fizike të Çmimeve Nobel do të mbahet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të tyre, Alfred Nobelit, industrialist i famshë suedez dhe shpikësi i dinamitit.