Fier/ Zbulohet “dhoma e bixhozit” në lokal, arrestohen organizatori dhe administratorja (EMRAT)

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “No Games”, duke goditur një rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në një lokal në lagjen “Kastriot”.
Gjatë ndërhyrjes në ambientin që administrohej nga një 49-vjeçare, policia zbuloi një dhomë të përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit. Në vendngjarje u kapën në flagrancë 16 persona, të cilët po luanin bixhoz.
Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë dy persona: një 43-vjeçar nga Tirana Rudenc Cenko, i dyshuar si organizatori i lojërave të fatit, dhe Dhurata Sherifaj, administratorja 49-vjeçare e lokalit. Ndërkohë, 16 personat e kapur duke luajtur u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi si prova materiale një tavolinë pokeri, 500 çipsa, gjashtë pako me letra bixhozi, pesë celularë dhe 8 mijë euro. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv




