Begaj në Shkollën e Magjistraturës: Drejtësia shqiptare ka hyrë në një fazë të re

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Shkollën e Magjistraturës.
Përpara brezit të ri të magjistratëve, kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë, avokatë shteti dhe ndihmësgjyqtarë, Kreu i Shtetit vlerësoi se integriteti dhe profesionalizmi i tyre do të përcaktojnë suksesin e drejtësisë së reformuar në këtë fazë vendimtare të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Brezi juaj ka një përparësi historike: ju po hyni në sistemin e drejtësisë që reforma ndërtoi. Kjo vjen edhe me një përgjegjësi të shtuar: ju, me integritetin dhe profesionalizmin tuaj, do të bëni që ky sistem të funksionojë me efektivitet”, u shpreh Presidenti Begaj gjatë fjalës përshëndetëse.
Presidenti i Republikës theksoi se Shkolla e Magjistraturës përfaqëson nivelin më të lartë të formimit juridik, ndërsa nënvizoi se besimi i publikut mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon sistemi i drejtësisë.
“Aseti më i çmuar i drejtësisë, që duhet fituar, është besimi: besimi se çdo individ do të dëgjohet; se çdo pretendim do të shqyrtohet me paanshmëri; se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë; se pushteti i drejtësisë do të ushtrohet me përulësinë dhe përgjegjësinë që kërkon shteti i së drejtës”.
Duke u ndalur tek ecuria e reformës në drejtësi, Presidenti Begaj vlerësoi konsolidimin e institucioneve, duke theksuar se drejtësia është në fazën e rezultateve të prekshme.
“Procesi i vetingut ka përfunduar, institucionet e reja të drejtësisëjanë formuar, ndërsa Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bashkë me gjykatat e posaçme, kanë krijuar një realitet të ri në luftën kundër pandëshkueshmërisë.Hetimi dhe gjykimi i personave me pushtet politik, ekonomik apo shoqëror nuk është më diçka e pamundur. Kjo është një arritje kyçe, një arritje kyçe për shtetin e së drejtës, për Shqipërinë.Drejtësia shqiptare ka hyrë tashmë në një fazë të re: nga reforma, te konsolidimi; nga ngritja e institucioneve, te funksionimi i tyre; nga pritshmëritë, te rezultatet”.
Kreu i Shtetit theksoi, gjithashtu, rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit si një nga kolonat themelore të shtetit të së drejtës: “Pavarësia e drejtësisë nënkupton një pushtet të pavarur nga pushtetet e tjera, një drejtësi të pandikuar nga çdo interes, një drejtësi që i nënshtrohet vetëm ligjit dhe askujt tjetër”.
Përballë sfidave të integrimit evropian, Presidenti Begaj theksoi se drejtësia mbetet një nga fushat më të rëndësishme për përmbushjen e standardeve. “Një prej tyre mbetet nevoja për të siguruar një drejtësi jo vetëm të drejtë, por edhe në kohë. Sfida jonë është që cilësia e vendimmarrjes dhe efektiviteti të mos shihen si objektiva konkurruese, por si vlera që ecin së bashku.
Gjithashtu, pavarësia e sistemit gjyqësor kërkon të ndërtohen njëkohësisht marrëdhënie institucionale të shëndetshme me pushtetet e tjera. Në një demokraci moderne, institucionet nuk janë të izoluara nga njëra-tjetra. Ato bashkëpunojnë, secila brenda kompetencave të veta, duke respektuar ndarjen dhe balancën e pushteteve. Pikërisht ky ekuilibër kërkon profesionalizëm, maturi dhe kulturë të gjerë dhe të fortë kushtetuese”.




