i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se Moska e kundërshton kategorikisht çdo përpjekje për vendosjen e infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Afganistan apo në shtetet përreth tij.
Sipas tij, një prani e tillë do të mund të krijonte rreziqe të reja dhe të destabilizonte rajonin.
Gjatë fjalës së tij në konsultimet e Formatit të 8-të të Moskës për Afganistanin, Lavrov vlerësoi pozitivisht qeverisjen e talebanëve, duke thënë se autoritetet afgane kanë arritur të vendosin kontroll mbi territorin dhe po e drejtojnë vendin në mënyrë relativisht efektive.
Ai theksoi gjithashtu përpjekjet e forcave afgane kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste. Sipas Lavrov, janë eliminuar qindra militantë dhe janë parandaluar disa sulme të rëndësishme.
Kreu i diplomacisë ruse tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Afganistanit në luftën kundër terrorizmit.
Ndihma, sipas tij, mund të përfshijë mbështetje logjistike, ekspertizë dhe bashkëpunim mes shërbimeve të inteligjencës dhe strukturave të sigurisë.
Lavrov përmendi edhe luftën kundër trafikut të drogës, duke deklaruar se masat e ndërmarra nga autoritetet afgane kanë dhënë rezultate.
Ai iu referua vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave prodhimi i opiumit është ulur me rreth 90 për qind që nga viti 2022.
Sipas tij, edhe ekonomia afgane ka vijuar të funksionojë pavarësisht sanksioneve perëndimore. Lavrov tha se gjatë kësaj periudhe janë hapur rreth 170 objekte të reja prodhuese, ndërsa vlera e tregtisë së jashtme të Afganistanit arriti në rreth 14 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Megjithatë, ai pranoi se gjendja humanitare në vend mbetet serioze.
Duke iu referuar të dhënave të OKB-së, Lavrov tha se mbi 17 milionë afganë mund të përballen me pasiguri ushqimore gjatë dimrit, ndërsa rreth 22 milionë persona do të kenë nevojë për ndihmë humanitare.
Lavrov siguroi se Rusia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për Afganistanin. Sipas tij, një tjetër dërgesë pritet të mbërrijë në vend brenda një ose dy muajve.
Lini një Përgjigje