Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “No Games”, duke goditur një rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në një lokal në lagjen “Kastriot”.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët zbuluan një ambient të përshtatur posaçërisht për zhvillimin e lojërave të fatit, ku u kapën në flagrancë 16 persona duke luajtur.
Në pranga ranë administratorja e lokalit, 49-vjeçarja Dh. Sh., banuese në Fier, dhe 43-vjeçari R. C., banues në Tiranë, i dyshuar si organizatori i lojërave të fatit.
Ndërkohë, 16 personat e kapur duke luajtur u proceduan në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri, një kuti me 500 çipsa, 6 pako me letra bixhozi, 5 telefona celularë dhe 8 mijë euro.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Finalizohet operacioni i koduar “No Games”, goditet një tjetër rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Zbulohet në një lokal në qytetin e Fierit, një ambient i përshtatur për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Arrestohen 2 shtetas (administratorja e lokalit dhe organizatori i lojërave të fatit).
Procedohen penalisht 16 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati, në lokal.
Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, 5 celularë dhe një shumë parash.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në qytetin e Fierit kryhej kjo veprimtari, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “No Games”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një lokal në lagjen “Kastriot”, Fier, që e kishte marrë me qira dhe e administronte shtetasja Dh. Sh. Gjatë ndërhyrjes, u zbulua një dhomë që ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit, që organizoheshin nga shtetasi R. C., si dhe u kapën në flagrancë 16 shtetas që po luanin lojëra fati.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit R. C., 43 vjeç, banues në Tiranë dhe Dh. Sh., 49 vjeçe, banuese në Fier.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: K. Ç., 38 vjeç, D. K., 44 vjeç, A. V., 39 vjeç, K. H., 45 vjeç, L. M., 42 vjeç, F. A., 59 vjeç, A. I., 37 vjeç, O. M., 37 vjeç, K. H., 49 vjeç, D. V., 46 vjeç, E. B., 40 vjeç, D. V. (T.), 31 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, V. T., 35 vjeç, F. P., 41 vjeç, dhe S. D., 28 vjeç, banues në Fier, Tiranë, Durrës, Korçë dhe Berat.
Gjatë operacionit, u gjetën në lokal dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 tavolinë pokeri, 1 kuti me 500 çipsa, 6 pako me letra bixhozi, 5 celularë dhe 8 000 euro.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.