
Nëse do të ndjehesh nënnjeri duhet të shkosh një herë si klient në sportelet e Bankës Kombëtare Tregtare! Te dera të pret gjithmonë një punonjës, i cili te drejton të marrësh një biletë në një makineri që kur ti fut të dhënat e tua, e di vetë se si ta përzgjedh numrin.
Gjysmë orëshin e parë të pritjes ti nuk e kupton çfarë po ndodh, po kur të parit, të dytit, të tretit klient që ka ardhur pas teje i del numri në monitorët sipër kokës së punonjëseve ti nis të lëvizësh pak nga sikleti. Çfarë po ndodh?! Tek minuta e 45 e kupton që numri yt ka shumë shanse të dalë ndoshta pas një ore dhe sërish sheh njerëz që vijnë dhe ikin, ndërsa ti dhe ca syresh si puna jote vazhdojnë të rrinë ulur në stolat e parehatshëm. Kur durimi yt ka arritur pikën e sosjes, atë e derdh me patjetër një debile institucionale e cila ta përplas në fytyrë inferioritetin në të cilën të ka vendosur banka tek e cila ke besuar paratë e tua: Numrat dalin në bazë të veprimeve dhe lidhjeve që ke me bankën.
Pra me pak fjalë, nëse ti nuk qarkullon shumë para në BKT ti je një nënnjeri, ti duhet të presësh ata që kanë pak më shumë para’ se ti. Ta bën BKT dallimin e klasës të cilët i përket direkt more! Hyr në një degë pyeti me radhë sa kohë kanë ulur aty dhe do kuptosh kush është nën njeri dhe kush i privilegjuar. Gjeniale komplet! Eksperiment social pa asnjë kosto! Domethënë kostot i mbajnë gjithmonë nënjerëzit sepse ata nuk e kanë luksin e mbrojtjes së kohës së tyre, humorit e nervave të prishura, punëve të lëna mangët etj etj. Por debilja institucionale flet sërish se nuk do të ta lërë mangët, dhe ty madje, një personi që nuk i del shpejt numri në monitor: Ne jemi privatë (kupto: I vendosim rregullat si të duam ne). Pastaj ti sërish detyrohesh të bëhesh e bezdisshme; ti kujtosh që dhe paratë që nënnjerëzit qarkullojnë në këtë bankë janë private dhe se asgjë private e bankës s’do të ishte e tillë pa këta inferiorët. I prishëm që i prishëm nervat, le ti prishim tamam. Apo jo?
Në fakt jo! Ka një mënyrë që ky cirk të mbyllet shumë shpejt, sepse kujtdo në Shqipëri i është dashur të kalojë në disa banka dhe askund tjetër përveçse tek BKT, nuk ndodh të hysh apriori, rëndom para dikujt që ka ardhur para teje ne degë me arsyetimin që na jep më shumë lekë. Ka gjithmonë një sportel veçmas për të tillë klientë apo operacione bankare të veçanta. Por BKT mund të të bëjë të ndjehesh ose si njish, ose si m… me thjesht një biletë, dhe në Shqipëri ka më shumë nga këta të fundit. Pa këta dhe pse bezdi e madhe, BKT do ishte veçse një shkretinë e madhe me monitorë të fikur!
PS: Në një kërkim të thjeshtë në disa banka nuk rezulton se BKT të ofrojë lehtësira apo shërbime që të tjerët nuk i kanë, sektori lëviz aty-aty në të njëjtat oferta (do flasim dhe për këto), vetëm se tek BKT duhet të presësh ata burrat me zinxhirë floriri dhe canta dore që i mbajnë ngjitur pas gjoksit kur ecin. Versus.al

