
TIRANE- Versus.al nis sot ciklin hulumtues të një sërë episodesh që do të zbardhin për publikun, përfituesit më të mëdhenj të procedurave të konkurrimit publik Ankand ose Qiradhënie, për pasuritë shtetërore të Bashkive. Sot, për publikun bardhin kompaninë “Kail Energy”, si një nga përfitueset direkte të tokave publike në bashkinë e Kolonjës.
Bëhet fjalë për kompaninë “Kail Energy” të themeluar në shkurt 2023.

Vetëm rreth tre muaj më vonë, një kompani pa histori të mëparshme të dokumentuar në këtë fushë, u shpall fituese në tre procedura të ndryshme për marrjen me qira të sipërfaqeve të mëdha të pronës publike nga bashkia Kolonjë, e drejtuar nga Erion Isai, i cili tashmë është marrë i pandehur nga SPAK. Toka është dhënë me qira për një periudhë 10-vjeçare dhe parashikon përdorim për zhvillim ekonomik në fushën e energjive të rinovueshme, njohur ndryshe edhe si fusha e “fotovoltaikëve’.

Por çfarë ka ndodhur? Nga një vëzhgim elementar që Versus.al i ka bërë këtyre procedurave rezulton se këto procedura janë të listuara me flamur të kuq nga “Open Data’, si procedura të kryera me mungesë totale të konkurrencës. Çfarë është vallë kjo rastësi fatlume, që një kompani e themeluar nga hiçi, merr prona me qira vetëm në këtë bashki?
Për këtë iu drejtuam bashkisë Kolonjë me një kërkesë për informacion. Deri në publikimin e artikullit, nuk kemi marrë një përgjigje.
Më konkretisht, më 29 qershor 2023, bashkia Kolonjë hap tenderin për dhënien me qira të 100 hektarëve tokë publike. Më 17 korrik 2023, Bashkia shpall fitues kompaninë Kail Energy, të cilës ia jep me qira këtë pronë për 10 vite me vlerë 176 mijë lekë.

Procedura e dytë është kryer paralelisht me të parën, ku më 22 qershor 2023, bashkia Kolonjë hap procedurën e tenderimit për dhënien me qira të 69.7 hektarë që si për çudi sërish shpallet fituese kjo kompani, me të njëjtën vlerë që iu dhanë me qira 100 hektarë, sërish 176 mijë lekë me afat 10-vjeçar.
Paralelisht ne hulumtuam edhe për historikun e “Kail Energy” por deri më tani nuk na rezulton që kjo kompani të ketë një historik tjetër në fushën e energjisë së rinovueshme, përveç procedurave që i ka marrë “gratis” dhe gati nga bashkia e drejtuar nga Erion Isai.
Edona Osmani është themeluese e kompanisë dhe administratore, ndërkohë që që prej momentit që kompania është themeluar e deri më sot, nuk ka asnjë bilanc të dorëzuar në QKB, ku mund të shihej çfarë aktivitetit ekonomik ka patur që ka arritur të bindë bashkinë dhe kryetarin Erion Isai që ti jepen këto prona publike. Ndërkohë akoma nuk dihet çfarë ka ndodhur me këto kontrata që nga viti 2023, a janë zhvilluar këto investime, si ka vijuar procedura me to. A ka shkelje të ligjit? A fshihet një grup interesi tjetër pas emrit të zonjës në fjalë? Vijon.../Versus.al

