
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të hënën më 5 tetor lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë për dënimin e 16 të pandehurve të akuzuar për përfshirje në një skemë mashtrimi të qytetarëve italianë nga një call-center me seli në lagjen “Don Bosko” në Tiranë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Dhimtër Lara dhe me anëtarë Saida Dollani dhe Engert Pëllumbi.
Një vit më parë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të dënojë në total me 118.5 vjet heqje lirie 16 të pandehurit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Çështja u shqyrtua me gjykim të shkurtuar dhe të pandehurit përfituan uljen e 1/3 së dënimit.
Ndaj të pandehurit Bruno Çobo u caktua përfundimisht dënimi me 8 vjet heqje lirie; me nga 7 vjet e 4 muaj burg u dënuan të pandehurit Elisa Çaçi (Caci), Gilbert Pushani, Valbona Abedinaj e Erion Kastrati 7 vjet e 4 muaj; si dhe me 6 vjet e 8 muaj burgim të pandehurit e tjerë, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi (Çaçi), Orland Cani, Florjan Bregu, Hamit Dobi, Greta Gjoci (Pepa), Gjin Shelnishta, Antoneta Malo (Pepkolaj), Silvana Veliu dhe Mojsi Zuna.
SPAK nisi procedimin penal në vitin 2021 për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për veprën penale të “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, pas një hetimi që kishte nisur më parë nga drejtësia italiane.
Bruno Çobo u akuzua si krijuesi i grupit kriminal, ndërsa të dënuarit e tjerë si pjesëmarrës. Për të realizuar veprimtarinë e paligjshme, fillimisht kontaktoheshin personat nëpërmjet telefonit dhe u propozohej blerja online e aksioneve “Amazon”, me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta. Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.
Viktima shkarkonte sipas udhëzimeve te telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, duke i lejuar mashtruesit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të merrte kodet e sigurisë të bankës, prej nga më vonë futeshin direkt në numrat e llogarive bankare.
Sipas prokurorisë, skema parashikonte që të merrte dhe më shumë para duke i bërë viktimat të besonin se duhej të paguan një lloj komisioni bankar për të marrë në zotërim shumat që ‘fitonin’ nga investimi.
Për të humbur gjurmët, grupi e kryente lidhjen “AnyDesk” në kompjuterat personal të viktimave duke përdorur një server italian të provider-it Aruba, që, sipas SPAK, garantonte në fakt fshehjen reale të adresës IP nga ku kishte kryer komunikimi, duke bërë serverin si nyje të vetme për të gjitha komunikimet.






