
Të gjithë ne, në forma të ndryshme, kemi lënë gjurmën tonë në Piramidën e Tiranës. Dikush ka ardhur për të mësuar, dikush për të punuar, dikush për një ekspozitë, një event, apo thjesht për të parë qytetin nga një kënd tjetër.
Janë pikërisht këto histori dhe kontekste të ndryshme që e bëjnë Piramidën një vend që nuk duket asnjëherë njësoj.
Sot, Piramida është një hapësirë shumëdimensionale, një prej HUB-eve të këtij formati në Shqipëri, ku teknologjia, krijimtaria artistike, startup-et, edukimi dhe shumë mundësi të tjera bashkëjetojnë nën të njëjtën ombrellë. Por ndoshta dimensioni më interesant i Piramidës nuk është ai që sheh kur hyn brenda, është ai që mund të zbulosh tek vetja, ndërsa hyn aty.
Mundësitë që ofron Piramida janë po aq shumëdimensionale, sa vetë njeriu. Nuk kanë një moshë të caktuar, një profesion apo një drejtim të vetëm. Janë mundësi për të provuar diçka të re, për të rikthyer një kuriozitet të vjetër, apo për t’i dhënë hapësirë një talenti, që ndoshta ka pritur gjatë.
Kjo është edhe ftesa e Piramida Fest, për 14 tetorin: të eksplorosh një pjesë të vetes, që gjithmonë ka dashur të bëjë diçka, por ndoshta nuk ka pasur kohën, mundësinë apo hapësirën për ta provuar. Sepse në Piramidë, një rol nuk të caktohet. E merr, e provon, e eksploron, e zbulon dhe nëse të pëlqen, e zhvillon.
Më 14 tetor, shumë prej këtyre mundësive do të shfaqen njëkohësisht. Kodimi, design-i, startup-et, arti, teknologjia dhe edukimi do të bëhen pjesë e të njëjtës eksperiencë. Në fund të fundit, të gjitha janë forma shprehjeje. Mënyra të ndryshme për t’i dhënë formë një ideje, që mund të ketë qenë brenda nesh prej kohësh.
Kjo është ftesa e Piramidës: të shkosh përtej asaj që di për të, por mbi të gjitha, përtej asaj që mendon se di për veten. Dhe këtë herë, ke edhe një arsye për ta bërë në shoqëri. Me muzikë, njerëz të rinj, ritëm tjetër dhe një ditë që nis me kuriozitet e përfundon me festë.
Me mbështetjen e AADF, Piramida Fest - Tech Editon, sjell më 14 tetor një hapësirë ku edukimi, teknologjia, kreativiteti dhe argëtimi takohen në të njëjtin vend. Ndoshta nuk do të largohesh prej andej duke ditur saktësisht se çfarë do të bësh më pas, por ndoshta do të largohesh duke kuptuar se çfarë do të provosh.
Lër gjurmën tënde në Piramidë! Zër vendin tënd tek Piramida Fest- Tech Edition, më 14 tetor. Hyrja falas, regjistrohu Regjistrimi për Piramida Fest
Lini një Përgjigje