Ironizoi Ronaldon në rrjetet sociale, Goncalo Ramos “dehet” nga golat dhe e fshin postimin
Polemikat rreth kombëtares së Portugalisë dhe situatës me Cristiano Ronaldon vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa kësaj radhe protagonist është bërë Gonçalo Ramos.
Sulmuesi i Milanit publikoi në Instagram një “story” pas fitores së Portugalisë ndaj Norvegjisë, ku ai vetë ishte protagonist kryesor duke shënuar golin vendimtar. Postimi u fshi pak më vonë, por mjaftoi për të hapur një tjetër debat në rrjetet sociale.
Ramos kishte shpërndarë një postim të një komentuesi, i cili, së bashku me një foto të sulmuesit portugez, kishte shkruar: “Statusi i të qenit më i miri”.
Ky mesazh u interpretua nga disa përdorues të rrjeteve sociale si një thumbim ndaj Cristiano Ronaldos, sidomos për faktin se Ramos kishte marrë një rol më të rëndësishëm në kombëtare dhe kishte zëvendësuar Ronaldon në formacion.
Megjithatë, duhet theksuar se Ramos nuk kishte shkruar vetë asnjë koment për Ronaldon. Sulmuesi thjesht kishte rishpërndarë postimin e një personi tjetër në “story”-n e tij. Pak më vonë, ai vendosi ta fshinte publikimin.
Pavarësisht kësaj, veprimi nuk i dha fund reagimeve në rrjetet sociale, ku situata e krijuar rreth Ronaldos dhe kombëtares portugeze vazhdon të prodhojë diskutime.
Ramos po kalon ndërkohë një periudhë të mirë me fanellën e Portugalisë. Sulmuesi ka shënuar 15 gola në 11 paraqitje me kombëtaren, ndërsa goli ndaj Norvegjisë i dha Portugalisë fitoren në një sfidë që ishte nën vëmendje të madhe.
)

