Emocione dhe duartrokitje për mësuesin që doli në pension, Gëzim Pali ka një mesazh për nxënësit nga “Shqipëria Live”: Çelësi i suksesit është…

05/10/2026 14:14

Pak ditë më parë u bë virale në rrjet një video e një mësuesi të Edukimit Fizik, Gëzim Pali, i cili po dilte në pension pas shumë vitesh në arsim. Kolegët e shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” organizuan një surprizë të veçantë për të, ndërsa nxënësit e përcollën me duartrokitje, përqafime dhe shumë emocione.

Një mënyrë e bukur për t’i thënë “faleminderit” një mësuesi që për vite me radhë ka qenë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Ditën e sotme, mësuesi Gëzim Pali ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku tregoi emocionet që përjetoi atë ditë.

“Nuk e prisja kaq shumë, por më ka befasuar, ishte shumë emocionuese për mua. Falënderoj kolektivin, drejtorin, nën drejtoreshën, të gjithë, do të jetë një kujtim për tërë jetën”, tha zoti Pali.

Mësuesi, i cili ka 41 vite në arsim, u shpreh se çelësi i suksesit në këtë fushë është ‘kujdesi për nxënësit, trajtimi i tyre njësoj pa dallime dhe ngrohtësia që u jep atyre para dhe pas mësimit’.

Ndërkohë fjalën e tij, Gëzim Pali e mbylli me një mesazh për të gjithë nxënësit, që të qëndrojnë më pak në telefona dhe të përqendrohen te qëllimet e tyre, të studiojnë.

Pjesë nga intervista:

Sidorela: Sa ka ndryshuar brezi i nxënësve? Sa vëmendje kanë patur dikur dhe sa kanë tani?

Gëzimi: Në këto 41 vite e deri më sot jam shumë i lumtur. Ne arsimtarët jemi pasqyrë para nxënësve, duhet me qenë shumë të kujdesshëm, me i vazhduar orët e mësimit sipas orarit, unë kam qenë shumë i përqendruar. Duhet një afrimitet me nxënësit. Ky ka qenë çelësi i sukses, ngrohtësia para dhe pas mësimit, me i trajtuar nxënësit njësoj,.

Sidorela: E ka patur të vështirë të përditësoheshe me këto të rinjtë?

Gëzimi: E kam gjetur gjuhën e përbashkët edhe në kohët e sotme me nxënësit. Mënyra e komunikimit është kryesore.

Sidorela: Cila ka qenë situata më e vështirë që keni hasur?

Gëzimi: Nuk kam pasur ndonjë problem, kam qenë shumë i kujdesshëm, kam qëndruar pranë tyre në mënyrë të vazhdueshme. Dalja në pension dhe dashuria për ata fëmijë, e tregoi vetë kolektivi dhe nxënësit

Sidorela: Çfarë ndjesie iu krijon kur shihni videon?

Gëzimi: Shumë emocione, edhe sot. Ekam ditur që kam lënë një përshtypje të mirë, por jo kaq shumë,

Sidorela: Çfarë thanë familjarët?

Gëzimi: Janë tepër të lumtur, të kënaqur. Fëmijët, bashkëshortja, të afërmit, të gjithë më kanë uruar dhe më kanë marrë në telefon për këtë atmosferë.

Sidorela: A keni një mesazh për gjithë nxënësit tuaj?

Gëzimi: Të përdorin sa më pak telefonat, edhe prindërit,. Të kenë kujdes tek ushqimi, sidomos në mëngjes. Të studiojnë, të fokusohen te shkenca dhe te dija, që të arrijnë diçka. Ashtu si ne. Aty ku ka dëshirën, aty të këmbëngulë, aty ku ka pasionin, me punuar arrihet gjithçka. Unë për vete kam këmbëngulur, kam studiuar dhe ia kam arritur qëllimit. Jam shumë i lumtur. Më mungon arsimi, kolegët dhe nxënësit.

Top Channel