AKTUALITET /

Turqit e Fortis Construction “përpijnë” tokat e shqiptarëve, pas Kolonjës e Vaut të Dejës marrin leje për impiant fotovoltatik në Klos

Përveç lejeve të dyshimta, problem mbetet fakti se banorët e zonave ku do të ndërtohen këto parqe diellore, do të mbeten pa toka për kullotat e bagëtitë.

Shkruar nga Versus

Turqit e Fortis Construction “përpijnë” tokat e

Në epokën e re të energjisë elektrike të siguruar falë impianteve fotovoltaike, duket se nuk po merret në konsideratë faktori më themelor, ai njerëzor. Sipërfaqe të mëdha toke po u merren banorëve të fshatrave të ndryshëm të vendit për t’u përdorur si parqe që krijojnë energji. Por ata të cilët dëmtohen nga kjo gjë, janë pikërisht banorët e këtyre zonave të cilët mbeten pa kullota për bagëtitë e pa asnjë përfitim konkret.

Megjithatë, këto fakte nuk e kanë penguar kompaninë turke “Fortis Energy& Construction” që të futet si “në tokë të vetë” dhe të marrë leje ndërtimi fillimisht në Vaun e Dejës në vitin 2024 ku përfitoi 30 hektarë toka me qira qesharake, më pas në Taç të Kolonjës me 412 hektarë tokë dhe tanimë në Klos ku ende nuk është bërë e ditur sipërfaqja e tokës publike që do të vihet në dispozicion të parkut me kapacitet 62 megavat. Në Vaun e Dejës kjo kompani arriti të merrte sipërfaqe masive toke me një çmim qesharak prej 1.8 euro për metër katrorë në vit.

Turqit e Fortis Construction “përpijnë” tokat e

Kjo kompani turke në pronësi të shtetasit turk Mehmet Burak Uçkardes e cila u themelua në qershor të vitit 2021, është kthyer tanimë në lojtar kryesor të tregut të energjisë diellore në vend. Përtej shkeljeve apo dyshimeve sesi një kompani e tillë arriti të merrte sipërfaqe të mëdha toke, duhet theksuar se kjo situatë ka shkaktuar pasoja mjaft të rënda për banorët të cilët pavarësisht se kundërshtojnë, mbeten të pafuqishëm përballë kompanisë e cila vijon me ndërtimet edhe pse çështja është në gjyq.

Rasti konkret në Taç të Kolonjës, tregon sesi banorët bënë protesta të mëdha dhe padi ndaj parkut fotovoltaik, por projekti është duke u ndërtuar. Edhe në Klos pritet i njëjti “fat” i banorëve pasi leja rezulton të jetë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit më 17 korrik.

Turqit e Fortis Construction “përpijnë” tokat e

Jo më larg se dy ditë më parë banorët e Gjoricës u përplasën me nënkontraktorët për një projekt parku fotovoltatik që fillimisht u tha se do të zbatohej në 1 hektarë tokë, por më pas u zgjerua në 42 hektarë. Mënyra e thjeshtë sesi kompania turke ka arritur të “gllabërojë” sipërfaqe të mëdha toke publike, është në fakt një çështje që kërkon hetim dhe mënyra më e mirë është mbikëqyrja e lëvizjes së parave të firmës. Versus.al

Poll