web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kur dija dhe shkenca nuk shpërblehen sipas meritës

5 Tetor 2026, 14:44, Opinione Afrim Krasniqi

Kur dija dhe shkenca nuk shpërblehen sipas meritës

Fillon viti akademik 2026-2027 - thotë MAS. Nuk e di pse quhet “akademik” sepse në thelb në universitete ka shumë mësim dhe (shumë) pak kërkim shkencor, dhe natyrisht praktika e terma nuk përputhen, por gjithsesi, kemi shumë akademi, të rendit, të artit, të mbrojtjes, të fizkulturës, të gastronomisë, të filmit, etj, dhe kur “nisën reformat” u krijua edhe ajo e barinjve dhe hoteleve!

Kemi edhe një akademi zyrtare dhe disa jo zyrtare, të gjitha me emërtime shkencore, edhe kur krijohen nga miq, shoqata apo qendra tregtare.

Madje, duhet thënë se institucioni më cilësor në vend quhet “shkollë”, Shkolla e Magjistraturës, e cila gjithashtu duhet pranuar se nuk ka përputhje emërtimi me funksionin e saj.

Nejse, e rëndësishme, nisi shkolla e lartë, është termi i duhur. Studentët më të mirë na largohen jashtë, meritë e shans i tyre, ata që mbeten i fusim në sistem që të mbijetojnë programet, departamentet, fakultetet, universitetet.

Kur nuk ka kemi nisur të importojmë nga vende aziatike. Në secilën godinë, sot ka shumë urime, lule, ceremoni dhe sidomos shumë fjalime. Shumica e atyre që lexojnë fjalime sot nuk kanë lidhje me dijen dhe as shkencën, por çështje protokolli, burokracie dhe marrëdhënie publike.

Për të kuptuar hierarkinë e vlerave në shoqëri le të bëj një krahasim të thjeshtë, - zyrtarët e lartë kanë bodigardë dhe shoferë, përfshirë edhe ministrat e kryeministri.

Një pjesë e tyre e kalojnë ditën duke hapur dyert e makinës, duke mbajtur dosjet e shefave apo çantat e tyre. Punë rutinë, por është punë dhe meriton respekt.

Megjithatë, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, pagesa mujore për grupet e shoqërimit është rreth 25%-45% më e lartë sesa e një profesori në universitet. Edhe sekretaria e zyrtarëve të lartë ka rrogë më të lartë, pa llogaritur qindra këshilltarë që nuk janë emëruar për të dhënë këshilla.

Nga ana tjetër, sa herë dikush akuzohet për plagjiaturë në punime merr poste edhe më të larta, disa prej tyre u bënë edhe ministra arsimi dhe shkence!

Edhe kaq mjafton për të kuptuar se dita e parë e vitit universitar nis me kontraste të thella dhe dëshmi se arsimi, sidomos ai i lartë, shkenca dhe kërkimi shkencor, nuk kanë qenë, nuk janë dhe as nuk pritet të jenë prioritet. Për më tepër janë të injoruar. Sepse nuk prodhojnë vota dhe as grupe interesi me ndikim dhe sepse merrem me gjëra "të parëndësishme", libra, studime, artikuj shkencorë, mësim, kërkim, etj, aktivitete që vijnë në kontrast me tiparet / prioritetet e sotme shoqërore, - betoni, tenderi, inceneratorët, lidhjet informale/kriminale, trafikimin e posteve dhe mandateve parlamentare, etj, etj.

Kështu e nisëm (sot). Dhe të gjithë biem dakord, si është arsimi sot është shoqëria nesër.

Suksese atyre që hyjnë për herë të parë dhe natyrisht edhe brezave të tjerë. Në jetën e njeriut ka periudha që lënë gjurmë në memorie për një kohë të gjatë dhe jeta universitare është një prej atyre pak periudhave./ CNA





13:36 Opinione Edison Ypi

Bordello

Muzikën na e kompozon kurvari me ofshama seksi. Tekstin e ...

10:52 Opinione Agim Xhafka

DJE NË MBRËMJE

Sa kishte rënë muzgu. Isha gati të bëja një shëtitje nga p...

Lajmet e fundit nga