Estonia po vendos në mënyrë të përhershme trupat e saj më pranë kufirit rus dhe po pajiset me armë të afta për të goditur thellë në territorin e fqinjit të saj, ndërsa ky vend i krahut lindor të NATO-s përgatitet për një agresion të mundshëm rus pas përfundimit të luftës në Ukrainë; kështu raportoi të hënën gazeta Financial Times, duke cituar zyrtarë të mbrojtjes estoneze. Drejtuesit ushtarakë dhe të inteligjencës së Estonisë nuk besojnë se Moska synon të nisë një luftë në shkallë të plotë me NATO-n brenda të paktën dy viteve të ardhshme, por ata mendojnë se fqinji i tyre armiqësor po përgatitet për një konflikt të mundshëm në të ardhmen me vendin e vogël baltik, vuri në dukje FT. Zyrtarët estonezë druhen se Kremlini mund të ndërmarrë një veprim oportunist, siç mund të jetë nisja e një inkursioni në shkallë më të vogël, me qëllim testimin e klauzolës së mbrojtjes kolektive të NATO-s. Ata thonë se as Estonia dhe as NATO-ja nuk mund të parandalojnë në mënyrë të besueshme një skenar të tillë për momentin. Kjo e ka shtyrë Estoninë, e cila nuk ka forcë ajrore të sajën dhe mbështetet te NATO-ja për mbrojtjen e hapësirës ajrore, të kalojë në një strategji të mbrojtjes aktive, shkroi gazeta. Si pjesë e strategjisë së re, njësitë e ushtrisë do të zhvendoset nga Tapa në Jõhvi, vetëm 50 kilometra larg kufirit rus. Aktualisht aty po ndërtohen objekte të reja për të strehuar ushtarët.