
Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në akset urbane dhe interurbane të kryeqytetit, duke vendosur mbi 13 mijë masa administrative vetëm gjatë një jave.
Sipas të dhënave të publikuara nga policia, gjatë kontrolleve janë arrestuar apo proceduar penalisht 32 shtetas, ndërsa janë bllokuar 48 automjete. Në total janë vendosur 13 522 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Pjesa më e madhe e gjobave lidhet me ndalimin dhe qëndrimin e gabuar. Konkretisht, policia ka vendosur:
8818 masa për ndalim dhe qëndrim të gabuar;
1243 masa për drejtuesit e motomjeteve që nuk kanë vendosur kaskën mbrojtëse;
602 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
487 masa për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit;
66 masa për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit;
26 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.
Në fokus të kontrolleve kanë qenë edhe mjetet e transportit publik dhe automjetet që transportojnë nxënës, me qëllim parandalimin dhe evidentimin e menjëhershëm të shkeljeve që mund të rrezikojnë sigurinë e pasagjerëve.
Policia Rrugore ka shtuar gjithashtu monitorimin në terren dhe në hapësirën digjitale për rastet e bllokimit të qarkullimit në autostrada dhe akse me fluks të lartë lëvizjeje.
Një prej rasteve të fundit lidhet me autostradën Tiranë-Durrës, ku pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, policia identifikoi disa prej personave që dyshohet se penguan qarkullimin.
Tre prej tyre janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Automjetet që drejtonin janë sekuestruar, ndërsa ndaj tyre janë marrë edhe masat administrative të parashikuara nga Kodi Rrugor.
Sipas policisë, veprimet hetimore vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që morën pjesë në këtë veprimtari, e cila shkaktoi kaos në qarkullim dhe pengoi përdoruesit e tjerë të rrugës.
Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane dhe interurbane të Tiranës, ndërsa çdo ditë do të monitorohen edhe autobusët urbanë dhe mjetet që transportojnë nxënës.
Policia Rrugore u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, ndërsa qytetarët ftohen të denoncojnë shkeljet në numrin pa pagesë 112./Versus.al

