Berisha thërret protestë kombëtare nga Kuvendi: Të enjten mblidhuni ku jeni e ku s’jeni

Pas javës së gjelbër, deputetët janë rikthyer këtë të hënë në Kuvend, ku pritet të ketë debate mes opozitës dhe mazhorancës për Reformën Territoriale dhe çështjen e SHISH-it, pas arrestimit të ish-drejtoreshës Vlora Hyseni. Reforma pritet të votohet të enjten, ndërsa kundër draftit kanë dalë edhe dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD-së, Sali Berisha, ngriti sërish çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH-it, duke akuzuar mazhorancën se po shmang debatin. Berisha hodhi akuza të rënda ndaj Hysenit dhe qeverisë, duke pretenduar se ajo është rekrutuar nga grupe kriminale. “Ju, në vend se të spostoni çdo gjë nga axhenda dhe të sillni këtu debatin për goditjen fatale, përfundimtare të shtetit shqiptar nga narkoshteti, asgjësimin përfundimtar të shtetit shqiptar nga narkoshteti i Edi Ramës, nuk bëni asgjë. A e dini se çfarë do të thotë shefja e SHISH-it, anëtare e grupit kriminal më të rrezikshëm në Europë? Grupit që dispononte qindra milionë euro për llogari të Ramës, në AKSHI. Grupit që kontrollonte internetin dhe komunikimin e mbarë vendit.”, deklaroi Berisha.
Berisha kritikoi gjithashtu deputetët socialistë, të cilët sipas tij po shmangin përgjegjësinë politike për çështjen e SHISH-it. Ai akuzoi mazhorancën se po mbron qeverinë dhe bëri thirrje për reagim qytetar lidhur me zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
Në fund të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen të enjten përpara Kuvendit, duke e cilësuar atë si “ditën e qytetarëve”. “E enjtja është dita e qytetarëve, e shqiptarëve dhe të rinjve, ju bëj thirrje shqiptarëve ku janë dhe ku s’janë, të mblidhen të enjten në këtë parlament për t’i dhënë përgjigjen më të merituar këtij institucioni të krimit, të mafias shqiptare”, tha ai.




