“Si mund të shmangni një debat para shqiptarëve?”, Berisha sulmon mazhorancën për çështjen e SHISH-it: Ky Kuvend duhet të zhduket

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur sërish në Kuvend çështjen e arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Berisha akuzoi mazhorancën se po shmang debatin parlamentar për këtë çështje, ndërsa hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë dhe deputetëve socialistë.
Duke iu drejtuar mazhorancës, Berisha deklaroi se deputetët po bëhen “avokatë” të kryeministrit Edi Rama dhe të ish-kreut të SHISH.
“A e dini se çfarë do të thotë shefja e SHISH-it, anëtare e grupit kriminal më të rrezikshëm në Europë?”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit, duke vijuar me akuza ndaj mazhorancës për lidhje të pretenduara me grupe kriminale.
“Unë e kuptoj që lidhjet tuaja me krimin ju detyrojnë ju të mbani qëndrime të tilla. Si mund të shmangni ju një debat para shqiptarëve në një kohë kur shefen e SHISH-it e rekrutojnë bandat, mafia, kartelet? Ku e gjeni ju këtë moral dhe këtë justifikim? Jeni skllevër të padrinos. Ky Kuvend duhet të zhduket sa më parë. Ky shkelmon çdo interes të shqiptarëve.“, tha Berisha ndër të tjera.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i PD-së e ashpërsoi gjuhën ndaj Kuvendit, duke e cilësuar atë si një institucion që, sipas tij, nuk po mbron interesat e qytetarëve. “Ky Kuvend duhet të zhduket sa më parë. Ky shkelmon çdo interes të shqiptarëve”, tha Berisha.




