Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar në parim projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste, që parashikon riorganizimin territorial dhe shkrirjen e 15 bashkive në të gjithë vendin.
Nisma mori 8 vota pro nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe 5 vota kundër nga anëtarët e opozitës.
Pas votimit në parim, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ndërpreu përkohësisht mbledhjen duke dhënë 30 minuta pushim. Me rinisjen e punimeve, komisioni do të vijojë me shqyrtimin e projektligjit nen për nen, përpara se ai t’i dërgohet seancës plenare për votim përfundimtar.
Ndërkohë, jashtë ambienteve të Kuvendit, banorë dhe qytetarë nga bashkitë e prekura nga reforma kanë protestuar kundër nismës. Protestuesit kanë kërkuar tërheqjen e projektligjit, duke argumentuar se ndryshimet mund të cenojnë përfaqësimin lokal dhe të ndikojnë në ofrimin e shërbimeve për komunitetet.
Projektligji pritet të vijojë tashmë procedurën parlamentare, ndërsa qëndrimet pro dhe kundër reformës territoriale pritet të shoqërojnë edhe diskutimet në seancën plenare.


