GJKKO rrëzon kërkesën e Igli Tares, lë në fuqi sekuestron ndaj pasurive

Apeli i GJKKO-së la në fuqi sekuestron e pasurisë ndaj Igli Tares. Shkalla e dytë e gjyqësorit rrëzoi kërkesën e avokatit për heqjen e bllokimit të vilës në Palasë.
Igli Tare është nën hetim nga SPAK në kuadër të dosjes ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për veprën penale të pastrimit të parave. Në qendër të hetimeve janë disa pasuri të paluajtshme të regjistruara në emër të ish-futbollistit, mes tyre edhe vila në kompleksin “Green Coast”, në Palasë.
Sipas SPAK-ut, vila në Palasë është në pronësi faktike të Belinda Ballukut, ndërsa Igli Tare dyshohet se është përdorur për fshehjen e kësaj pasurie. Prokuroria i referohet një kontrate sipërmarrjeje të 26 tetorit 2020, me vlerë 250 mijë euro, që parashikonte ndërtimin e objektit deri në fazën e karabinasë.




