Elon Musk pritet të ndryshojë emrin e kompanisë së tij të inteligjencës artificiale, duke e përshtatur atë me termin “superinteligjencë”, të cilin presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar ta përdorë për këtë teknologji.
Lajmin e bëri të ditur vetë Musk përmes një postimi në platformën e tij X. I pyetur nëse kompania “SpaceXAI” do të ndryshonte emrin në “SpaceXSI”, miliarderi amerikan u përgjigj: “Po, do ta bëjmë këtë ndryshim”.
“SpaceXAI” është krijuar së fundmi pas bashkimit të kompanisë së inteligjencës artificiale të Musk, xAI, me kompaninë e tij hapësinore, SpaceX. xAI është një nga kompanitë që konkurron në tregun e IA-së me emra të tillë si OpenAI dhe Anthropic.
Ndryshimi i emrit vjen në një kohë kur Donald Trump ka promovuar përdorimin e termit “superinteligjencë” në vend të “inteligjencës artificiale”. Trump ka argumentuar se termi aktual e paraqet teknologjinë si diçka “të rreme”.
Musk ishte një nga aleatët më të afërt të Trump gjatë muajve të parë të mandatit të dytë presidencial. Marrëdhënia mes tyre u tensionua më vonë, ndër të tjera për shkak të mosmarrëveshjeve mbi një projektligj për taksat, por dy palët kanë përmirësuar më pas raportet.


