Bota

Meloni i paraprin mashtrimeve me Inteligjencë artificiale, regjistron zërin si markë në BE për t’u mbrojtur nga audiot e rreme…

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka ndërmarrë një hap të pazakontë për t’u mbrojtur nga teknologjia e inteligjencës artificiale. Ajo ka depozituar zyrtarisht timbrin e zërit pranë Zyrës së Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale (EUIPO), me qëllim që askush të mos mund ta përdorë për të krijuar audio apo video të rreme ku duket sikur flet ajo.

Meloni kishte paralajmëruar edhe më herët për rrezikun e këtyre teknologjive. Në muajin maj ajo publikoi një fotografi të manipuluar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej me të brendshme, e cila u përdor në rrjetet sociale për ta diskredituar. Në atë rast deklaroi se “deepfake”, pra përmbajtjet e rreme të krijuara me inteligjencë artificiale që imitojnë fytyrën ose zërin e një personi, janë një mjet i rrezikshëm që mund të mashtrojë, manipulojë dhe të godasë këdo.

“Unë mund të mbrohem. Shumë të tjerë jo”, ishte mesazhi i saj.

Tashmë kryeministrja italiane ka zgjedhur të përdorë edhe instrumentet ligjore. Sipas Palazzo Chigi, regjistrimi i një marke zanore në Bashkimin Evropian i jep pronarit të drejtën ekskluzive për përdorimin e atij zëri në të 27 vendet anëtare. Kjo synon të pengojë përdorimin e zërit të saj të falsifikuar nga inteligjenca artificiale për mashtrime financiare, manipulime politike apo edhe qëllime diplomatike.

Në bazën e të dhënave të EUIPO rezulton se kërkesa e Melonit, e paraqitur përmes një studioje ligjore në Romë dhe një kompanie të specializuar në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, është ende në fazën e shqyrtimit. Regjistrimi lidhet me tre kategori shërbimesh, që përfshijnë përmbajtje multimediale të shkarkueshme, aktivitete kulturore dhe organizimin e veprimtarive politike.

Meloni nuk është figura e parë publike që ndjek këtë rrugë. Më herët kanë regjistruar zërin e tyre edhe aktori i njohur i dublimit Luca Ward, i famshëm si zëri italian i Russell Crowe, si dhe këngëtarja Giusy Ferreri.

Kryeministrja italiane ka qenë disa herë objekt i manipulimeve me imazhin e saj. Pesë vite më parë, kur drejtonte vetëm partinë “Fratelli d’Italia”, fytyra e saj u përdor në një video pornografike të publikuar në një faqe interneti. Për atë rast, dy persona, baba e bir, përfunduan në gjyq në Sassari.

Edhe në korrik të këtij viti emri i Melonit u përfshi sërish në një rast të ngjashëm, pasi ish-gjenerali Roberto Vannacci publikoi një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku kryeministrja shfaqej si një figurë e Romës së lashtë, ndërsa drejtuesit e opozitës paraqiteshin duke u hedhur luanëve. Meloni u distancua menjëherë nga ajo video.

Ndërkohë, Italia ka forcuar edhe kuadrin ligjor për inteligjencën artificiale. Në shtator 2025 u miratua ligji kuadër për AI, i cili ndryshoi edhe Kodin Penal. Ligji parashikon ndëshkime për këdo që shpërndan përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale në mënyrë mashtruese ose përdor AI duke cenuar sigurinë dhe integritetin e njerëzve apo sistemeve.

Mes risive është edhe futja e veprës penale për krijimin dhe shpërndarjen e “deepfake”. Kush manipulon përmbajtje me inteligjencë artificiale për të shtrembëruar realitetin dhe për të mashtruar qytetarët rrezikon nga 1 deri në 5 vjet burg.

Ligji nuk u votua nga opozita, e cila mbështeti një propozim të Partisë Demokratike italiane që synonte të përqendrohej kryesisht te ndalimi i përdorimit të përmbajtjeve të manipuluara me AI gjatë fushatave zgjedhore, kur ato përdoren për të mashtruar zgjedhësit dhe për të ndikuar votën. Ndërkohë, në Parlament vazhdon shqyrtimi i një projektligji tjetër që synon të forcojë mbrojtjen e identitetit personal përballë teknologjive të inteligjencës artificiale, me fokus të veçantë te fenomeni i “deepfake”.