Një punonjës policie është arrestuar në flagrancë në Prrenjas, pasi dyshohet se ka marrë para në këmbim të shkeljes së masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” nga një person nën hetim.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ka arrestuar Inspektor Çlirim Torrën, me detyrë Specialist i Policisë në Terren pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, pjesë e Komisariatit të Librazhdit.
Sipas hetimeve, polici dyshohet se ka marrë një shumë parash nga shtetasi me inicialet A.R., ndaj të cilit gjykata kishte caktuar masën “Arrest në shtëpi”.
Në këmbim të parave, Torra dyshohet se i ka mundësuar personit që të largohej nga banesa, duke shkelur masën e sigurisë të vendosur nga gjykata.
Ndaj punonjësit të policisë janë ngritur dyshimet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.













