Diplomati i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt ka qenë këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme dhe është takuar atje me kryeprokurorin Klodjan Braho dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
"Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm janë ndër përparësitë kryesore të Presidentit Donald Trump", njofton Ambasada Amerikane.
Selia Diplomatike e Rrugës së Elbasanit thotë se përparësitë kryesore të Administratës Trump, u janë njoftuar dhe drejtuesve të akuzës në Shqipëri.
"Ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave dhe se si partneriteti ynë kontribuon për një të ardhme më të sigurt e më të begatë për të dy kombet tona", vijon reagimi.
Ish-gjenerali amerikan vjen në Tiranë me një axhendë të përcaktuar dhe me disa prioritete të bëra publike prej tij gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan. Në atë seancë, Wendt renditi katër drejtimet kryesore ku do të përqendrohet gjatë mandatit të tij në Shqipëri.
Në fokusin e parë është mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të Shteteve të Bashkuara, ku përfshihet edhe mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me sigurinë dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s. Wendt ka deklaruar se do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, me objektivin e arritjes së nivelit 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Në axhendën e tij është edhe diplomacia ekonomike dhe tregtare. Ambasadori i ri amerikan ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe krijimit të më shumë mundësive për bizneset dhe investimet amerikane në Shqipëri.
Ndërsa prioriteti i katërt lidhet me vetë stafin e Ambasadës Amerikane. Wendt e ka cilësuar këtë si “faktori njerëzor”, duke theksuar nevojën për përdorimin e mënyrave standarde dhe kreative në funksion të punës së përfaqësisë diplomatike.
