Tensione janë shënuar gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kanë penguar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, të largohej nga ambientet e Kuvendit.
Sipas raportimeve, Rexhepi po tentonte të largohej nga objekti i Kuvendit kur është ndaluar fizikisht nga protestuesit. Ata e kanë kapur deputetin dhe e kanë kthyer brenda hapësirës së rrethuar nga Policia e Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur para Kuvendit po zhvillohet protestë, me pjesëmarrësit që kërkojnë nga deputetët të mos largohen pa u votuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protestuesit kanë kundërshtuar largimin e deputetëve nga godina e Kuvendit, ndërsa situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike.


