Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Elbasanit. Institucioni më i lartë i hetimit në vend bën me dije se është arrestuar administratori Leli Kaja i “ECO-ELB” i cili akuzohet për korrupsion pasiv.
Ai dyshohet se ka marrë nga një subjekt ekonomik një shumë prej 400 mijë lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave si administrator i shoqërisë “ECO-ELB”. Në njoftimin e bërë me dije për mediet thuhej:
“SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë”.
