Prokuroria e Posaçme njoftoi sot pasdite arrestimin e administratorit të “ECO-ELB” Leli Kaja, pasi akuzohet për korrupsion pasiv. Sipas SPAK Kaja mori 400 mijë lekë ryshfet nga administratori i një biznesi, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji.
Administratori i shoqërisë aksionere ECO-ELB, që menaxhon incineratorin e Elbasanit, Leli Kaja është arrestuar sot sot, (më 5.10.2026) me urdhër të SPAK.
Në njoftimin e SPAK thuhet se Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, arrestuan në flagrancë shtetasin Kaja, administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
"Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
ECO-ELB është një kompani publike në pronësinë e Bashkisë së Elbasanit (52% e aksioneve) dhe bashkive të tjera të qarkut, e cila menaxhon trajtimin e mbetjeve urbane të qarkut, përfshirë edhe inceneratorin që nuk funksionon.
Sipas SPAK, hetimi ka filluar pesë ditë më parë, bazuar në informacionet e siguruara nga BKH dhe kanë vazhduar më pas në mënyrë proaktive.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a, informon SPAK.
Gjatë kontrollit personal, Kajës iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Shoqëria publike e trajtimit të mbetjeve në Elbasan ka qenë shpesh në fokus të kritikave të opozitës për keqmenaxhim financiar.
Aferat e incineratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës kanë lënë pas probleme të pazgjidhura për mjedisin, ndërkohë që hetimet e SPAK të ditëve të fundit ekspozojnë abuzimin dhe ushtrimin e korrupsionit nga funksionarët publikë.
Skandali i incineratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë “Rama” për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e incineratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy dyzina me zyrtarë dhe biznesmenë u akuzuan sit ë përfshirë, mes tyre ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.
© SYRI.net