Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka ironizuar në Kuvend nismën e qeverisë “Prania Besnike”, sipas së cilës deputetët socialistë takohen çdo të premte me qytetarët e zonës që përfaqësojnë.
Korreshi u ndal te problematikat që përballen qytetarët në Lushnjë dhe Divjakë, duke akuzuar qeverinë se nuk u ka dhënë zgjidhje shqetësimeve të banorëve, mes të cilave edhe reforma e re territoriale.
“Shkoni në Divjakë, meqë jeni Prania Besnike. A e keni më mandatin, apo ua kanë hequr mandatin për reformën territoriale? Jeni 12, shkoni pyesni, zbukurohuni, vishuni, merrni valle mes Divjakës, e merrni dot më? Jo! Kjo është Prania Besnike!”, deklaroi ai.
Deputeti ironizoi edhe gjendjen e inceneratorit të Fierit, për të cili tha se ka dalë jashtë funksionit.
“Kemi hall se nuk ka rrugë, parcela pa hedhur plehra, i shtoni. Për çfarë po flasim? Nuk na i merr inceneratori, thonë. Ky është inceneratori? Se incenerim me “rrëng-rrëng” nuk ndizet ai atje në Fier. E ndryshkët fare, është bërë për skrap. Kjo është besnikja e qeverisë, e premtja e zezë, fortlumturia, a çfarë është”, tha deputeti i PD-së.
Ai kritikoi edhe funksionimin e platformës e-Albania, duke sjellë si shembull problemet që ka hasur me marrjen e një dokumenti.
“Punon e-Albania? Kam 6 ditë, nuk nxjerr dot vaksinën e kalamajve, vjen viu-viu. Nuk nxjerr dot vaksinën për të çuar fëmijën në kopsht, se AKSHI i rruajti lekët. Në burg ata”, përfundoi ai.













