AKTUALITET /

Kërkoi 400 mijë lekë në këmbim të moskryerjes së detyrave, SPAK arreston administratorin e inceneratorit të Elbasanit për korrupsion pasiv

Hetimet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit të shërbimit të trajtimit të mbetjeve dhe kontratat e lidhura mes “ECO-ELB” dhe njësive vendore.

Shkruar nga Versus

Kërkoi 400 mijë lekë në këmbim të moskryerjes

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.

Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Në një kohë kur janë dënuar disa zyrtarë si të implikuar në afera korruptive dhe abuzim me detyrën gjatë procedurave për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, disa kohë më parë nisi një hetim tjetër për inceneratorin.

Fillimisht ishte Prokuroria e Elbasanit që regjistroi procedim për veprën penale të 'Shkatërrimit të pronës me zjarr' dhe 'Ndotjes së ajrit' pas ngjarjes së 27 korrikut 2023, kohë kur u dogjën mbeturinat.

Por ky hetim u zgjerua edhe më tej, ku në qendër të verifikimeve nga SPAK për 'Shpërdorim detyre' dhe 'Korrupsion pasiv', u vendos bashkia e Elbasanit dhe shoqëria 'ECO Elb'./Versus.al

 

Poll