Pas paralajmërimeve të Mulit se do të organizonin një protestë antiflamingo, për t’u treguar atyre se kush e mbush bulevardin, ka pasur një alarm nga flamingot. Komandanti i flamingove thirri në bisedime Sali Lushën dhe më pas ai pati një takim kokë më kokë me Mulin.
Në përfundim të negociatave u ra dakord që të dyja palët të bënin hapa pas. Flamingot të tërhiqeshin nga parulla “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa PD-ja të tërhiqej nga flamujt në protestë, që të mos dukej si protestë e saj.
Kështu që protesta e paralajmëruar nga PD-ja do të bëhet pa flamuj dhe pa parulla kundër Doktorit.
– E paske bërë si Marrëveshja e Mukjes, – i tha Lelo. – Duan të na marrin rolin udhëheqës.
– Është lëvizje taktike, – tha Muli, – derisa të mësohen të mos thonë parullën “Berisha në burg”. Pastaj u fusim një shkelm dhe ikin, se 30 veta janë.
– E kuptoj, – tha Lelo, – por ideja që ne kemi bërë marrëveshje e tani jemi tërhequr nga flamujt e PD-së do të duket si forcë e tyre. Më interesante do të ishte t’u kishe thënë që le t’i marrin edhe partitë e tjera flamujt, për shembull demokristianët, Balli, Arian Starova etj.
– Po mos na hap telashe tani, – tha Muli. – Ku t’i gjejnë flamujt ata? Madje, ata s’dinë as çfarë flamuri kanë. Edhe Mediu, që është i vjetër, e di që PD-ja dhe republikanët kanë të njëjtin flamur.
– Puna është se ata kanë qëlluar edhe Klevisin sot me vezë, – tha Lelo. – Madje, edhe e kanë sharë si hajdut. Kjo është shqetësuese për të gjithë hajdutët.
– Punë e madhe, – tha Muli. – Klevisit ia kemi bërë nderin, tani le të durojë edhe ai ca gjëra. Sa për hajdutët, s’kanë pse mërziten që i thonë edhe Klevisit hajdut, se nuk janë më të zgjuar se ai.
– Jo, desha të them se janë të pabesë dhe nuk u përmbahen marrëveshjeve, – tha Lelo. – Kështu mund të na e bëjnë edhe në protestë.
– Për çdo pabesi do të ketë ndëshkim, – tha Muli. – Ato vajzat e çmendura që bredhin me telefon në dorë do të monitorohen hap pas hapi dhe çdo dalje nga vija do të ndëshkohet rëndë. Madje, është parashikuar si ndëshkim edhe detyrimi për të ardhur të lara në protestë.
– Kështu po, – tha Lelo. – Të paktën ta dinë që kanë punë me PD-në.
Lini një Përgjigje