Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës, u ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që Projektligji për Dhomat e Specializuara të rikthehet pa vonesë në sallë dhe të procedohet për lexim të dytë.
Të lidhura
None found
Sipas Tahirit, nuk ekziston asnjë arsye për zvarritjen e këtij procesi, pasi projektligji e ka marrë në lexim të parë mbështetjen e shumicës së deputetëve.
Ai paralajmëroi se shtyrja e mëtejshme mund të çojë në përshkallëzim të situatës, ndaj kërkoi që ligji të hidhet menjëherë në votim për lexim të dytë.
Tahiri ngriti pyetjen se çfarë po pret shumica dhe LVV-ja, duke theksuar se projektligji tashmë është miratuar në lexim të parë me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike si sponsoruese, Aleancës dhe komuniteteve pakicë. Ai tha se, në rrethanat kur situata përreth Kuvendit të Republikës së Kosovës po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, nuk ka arsye që ligji të mos rikthehet për votim.
Sipas tij, nuk duhet pritur ndonjë incident më i madh apo përshkallëzim i situatës. Tahiri iu bëri thirrje urgjente LVV-së dhe deputetëve që të kthehen në sallë dhe ta miratojnë ligjin në lexim të dytë, duke iu referuar neneve 85 dhe 123 të Rregullores së punës. Ai theksoi se zotimet publike dhe politike tashmë janë dhënë dhe se Aleanca kërkon që ligji të sillet menjëherë, pasi nuk ka asnjë arsyetim për vonesën e tij.
Tahiri sqaroi se, në vlerësimin e tij, ngërçi aktual nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje politike me Aleancën, por lidhet me leximin e dytë dhe presidentin.
Ai tha se Aleanca e ka bërë të qartë qëndrimin e saj shumë herët, ndërsa nuk është ftuar dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë takim. Tahiri shtoi se subjekti i tij po e përcjell me shqetësim situatën brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës.
