Si lindën protestat që larguan kryeministrin spanjoll! (Historia e 87 vjeçares, me aftësi të kufizuara dhe morali politik i socialistit Sanchez)

5 Tetor 2026 | 18:54

Quhet Maricarmen Abascal, është 87 vjeçe, me aftësi të kufizuara dhe për më shumë se shtatë dekada kishte jetuar në të njëjtën banesë në Madrid.

Por historia e saj, që nisi si drama personale e një pensionisteje përballë tregut të shfrenuar të qirave, përfundoi duke u kthyer në simbolin e krizës së strehimit që ka tronditur politikën spanjolle.

Më 23 shtator, Maricarmen u nxor nga shtëpia ku kishte jetuar rreth 71 vjet. Pamjet e saj duke dalë me barelë, ndërsa jashtë ndërtesës protestonin dhjetëra qytetarë, u përhapën me shpejtësi në Spanjë.

Prona kishte kaluar në duart e kompanisë Urbagestión. Sipas raportimeve spanjolle, qiraja që paguante Maricarmen ishte rritur në një nivel të papërballueshëm për të ardhurat e saj. Rasti shkaktoi aq shumë zemërim sa u shndërrua në simbol të debatit kombëtar mbi qiratë, dëbimet dhe fondet e mëdha që blejnë prona në qytetet spanjolle.

Presioni publik dha një rezultat të parë. Pesë ditë pas dëbimit, Urbagestión, familja dhe përfaqësuesit e Maricarmen arritën një marrëveshje që 87-vjeçarja të rikthehej në shtëpinë e saj, me një qira që nuk kalon 30% të të ardhurave neto.

Por “efekti Maricarmen” tashmë kishte dalë shumë përtej derës së apartamentit të saj.

Qeveria e Pedro Sánchez miratoi dy dekrete emergjente për strehimin, që parashikonin ndër të tjera mbrojtje më të madhe për qiramarrësit vulnerabël dhe kufizime ndaj dëbimeve. Por më 2 tetor, Kongresi i rrëzoi masat me votat kundër të Partisë Popullore, Vox dhe Junts.

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Madridit dhe qyteteve të tjera spanjolle, duke e kthyer krizën e strehimit në një nga çështjet kryesore të përplasjes me qeverinë.

Protestuesit kërkuan uljen e qirave, mbrojtje nga dëbimet dhe masa kundër spekulimit me banesat. Në Madrid, Delegacioni i Qeverisë e vlerësoi pjesëmarrjen në rreth 70 mijë persona, ndërsa organizatorët deklaruan se në protestë kishin marrë pjesë rreth 500 mijë.

Në krye të marshimit u shfaq edhe thirrja për një grevë të përgjithshme. Kriza e banesave, prej kohësh një nga problemet më të ndjeshme sociale në Spanjë, ishte kthyer në krizë politike.

Goditja parlamentare ndaj qeverisë së pakicës së Sánchez dhe protestat masive e vendosën kryeministrin përballë vendimit më të rëndësishëm të mandatit.

Të hënën, më 5 tetor, kryesocialisti Pedro Sánchez njoftoi se Spanja do të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor 2026, duke i dhënë fund legjislaturës përpara afatit të saj normal.

Kështu, një grua 87-vjeçare që vetëm pak ditë më parë luftonte për të mos humbur shtëpinë ku kishte kaluar pothuajse gjithë jetën, u kthye në simbolin e një revolte shumë më të madhe.

Historia e saj u kthye në simbol të zemërimit për krizën e strehimit, ndërsa përplasja politike që pasoi përfundoi me vendimin e kryeministrit për t’ua kthyer fjalën zgjedhësve më 29 nëntor.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Komisioni Evropian: Ndihma prej 26 mln eurosh për prodhuesin e kamionëve MAN shkel rregullat

Komisioni Evropian tha të hënën se ndihma prej 26 milionë eurosh e miratuar nga qeveria polake për prodhuesin e kamionëve MAN Trucks për të zgjeruar...
18:53 | 05/10/2026

Hetimet për rrëzimin e avionit të Flydubai, Vance: Deri tani nuk ka prova për përfshirjen e Iranit

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, tha të hënën se ende nuk ka parë asgjë që të vërtetojë rolin e Iranit në incidentin e flydubai-t. Vance...
18:49 | 05/10/2026

Kryeministrja japoneze: Kina është një fqinj i rëndësishëm, po punojmë për të ndërtuar një marrëdhënie konstruktive

Marrëdhëniet diplomatike midis dy gjigantëve ekonomikë aziatikë janë në pikën e tyre më të ulët që kur kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi tha nëntorin e kaluar...
18:47 | 05/10/2026