
Prokuroria e Posaçme njoftoi të hënën arrestimin për korrupsion të administratorit të shoqërisë aksionere ECO-ELB, që menaxhon incineratorin e Elbasanit, Leli Kaja. Ai u arrestua në flagrancë nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
ECO-ELB është një kompani publike në pronësinë e Bashkisë së Elbasanit (52% e aksioneve) dhe bashkive të tjera të qarkut, e cila menaxhon trajtimin e mbetjeve urbane të qarkut, përfshirë edhe inceneratorin që nuk funksionon.
Sipas SPAK, hetimi ka filluar pesë ditë më parë, bazuar në informacionet e siguruara nga BKH dhe kanë vazhduar më pas në mënyrë proaktive.
“Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë ‘ECO-ELB’ sh.a,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Shuma e ryshfetit i është gjetur me vete Kajës në momentin e ndalimit dhe është sekuestruar. SPAK sqaron se po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Aferat e incineratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës kanë lënë pas probleme të pazgjidhura për mjedisin, ndërkohë që hetimet e SPAK të ditëve të fundit ekspozojnë abuzimin dhe ushtrimin e korrupsionit nga funksionarët publikë.
Skandali i incineratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë “Rama” për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e incineratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy dyzina me zyrtarë dhe biznesmenë u akuzuan sit ë përfshirë, mes tyre ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.






