Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë një partner kyç në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ndërsa dy vendet synojnë të forcojnë më tej bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Eric Wendt, zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe rritja e kapaciteteve të sigurisë.
Përmes një njoftimi, Ambasada e SHBA-ve theksoi se gjatë takimit u diskutua për forcimin e gatishmërisë operacionale të Shqipërisë përmes partneritetit 25-vjeçar me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, rritjen e kapaciteteve të NATO-s, si dhe kontributin e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën (ISF).

Ambasada amerikane vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në përpjekjet për forcimin e sigurisë globale dhe nënvizoi rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve.
“Gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, ambasadori Eric Wendt diskutoi se si forca e aleancës sonë dëshmohet me veprime konkrete: forcimin e gatishmërisë operacionale përmes partneritetit 25-vjeçar me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, rritjen e kapaciteteve të NATO-s dhe mbrojtjen e sigurisë globale përmes kontributit jetik të Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën (ISF)”, theksoi ambasada.
Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes, me fokus forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të vendit në NATO.
#SHBA #Shqipëri #EricWendt #ErmalNufi #Mbrojtja #NATO #Siguria #Gaza


