Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, janë takuar këtë të hënë në ambientet e Kuvendit, ndërsa jashtë protestuesit prisnin se çfarë do të bëhej për ligjin për Gjykatën Speciale.
Deputetë dhe njerëz pranë Kurtit e Hamzës, kanë zbuluar se kryeministri ka kërkuar nga kreu i PDK-së që të mbështesë Vetëvendosjen me vota për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pas muajsh krizë dhe zgjedhjesh të përsëritura, ndërkohë që Bedri Hamza ka kërkuar prej Albin Kurtit mbështetje për ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u votua në parim me 91 vota për dhe asnjë kundër. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, duke paralajmëruar për “rreziqe juridike, politike dhe ndërkombëtare” për shtetin.
Votimi nuk është mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila më pas ka dalë me një reagim publik, duke pretenduar se emrat e deputetëve të saj janë vendosur përkrah me emrat e deputetëve të Listës Serbe.
"Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik.
Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla. Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës", thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërkohë, jashtë Kuvendit të Kosovës janë regjistruar akte dhune dhe përleshje të qytetarëve me Policinë e Kosovës. Prej pasdites, qytetarët janë mbledhur jashtë institucionit dhe u bënin thirrje deputetëve të ndryshëm të shkonin në seancë e të votonin.
