Një sulm kibernetik ka goditur regjistrin kombëtar të Danimarkës, duke ekspozuar të dhënat personale të rreth 8.8 milionë personave, njoftuan autoritetet daneze.
Administrata e regjistrit kombëtar CPR konfirmoi se persona të paautorizuar kanë siguruar në mënyrë të paligjshme akses në të dhënat e regjistruara në sistem. Mes informacionit të komprometuar përfshihen emra, adresa dhe numra personalë të identifikimit social (CPR).
Në mesin e personave të prekur janë edhe individë që kanë ndërruar jetë ose që janë larguar nga Danimarka.
“Bëhet fjalë për një incident jashtëzakonisht të rëndë”, deklaroi ministrja daneze për Çështjet Digjitale, Christina Egelund.
Ministrja shtoi se autoritetet po punojnë për të përcaktuar përmasat e plota të incidentit dhe për të identifikuar saktësisht se cilat të dhëna janë komprometuar.
Danimarka ka rreth 6 milionë banorë, ndërsa regjistri kombëtar përmban të dhëna për rreth 11 milionë persona. Kjo për shkak se sistemi përfshin gjithashtu të dhëna historike për persona që kanë vdekur ose janë larguar nga vendi.
Hetimet për sulmin kibernetik janë në vijim. Autoritetet daneze po përpiqen të përcaktojnë se kush qëndron pas ndërhyrjes, si është siguruar aksesi në sistem dhe nëse të dhënat e komprometuara janë përdorur, kopjuar apo transferuar.
#Danimarkë #SulmKibernetik #Hakerim #CPR #SiguriaKibernetike #TëDhënaPersonale


