Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Peqin, pranë fshatit Pajovë ku mësohet se janë përplasur dy automjete dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur katër persona.

Një prej tyre një grua 70-vjeçare e cila ishte pasagjere, u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, por pavarësisht ndihmës mjekësore ajo ka ndërruar jetë.

Të plagosurit, mes tyre drejtuesit e të dy automjeteve, 47 dhe 70 vjeç, dhe një pasagjere, ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur ambulanca dhe policia, ku po zbardhen shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/ Informacion paraprak

Rreth orës 19:20, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin A. B., 47 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Mazda”, me drejtues shtetasin R. Xh., rreth 70 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në spital shtetasja D. Xh., rreth 70 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin R. Xh.

Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesit e të dy mjeteve, si dhe pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin A. B., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.