Pas një dite të gjatë tensionesh dhe përplasjesh me Policinë, protesta para Kuvendit të Kosovës për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara u mbyll pak para mesnate. Protestuesit u shpërndanë qetësisht në fund të një dite të trazuar, por do të rikthehen të martën në orën 09:00 për të kërkuar sërish votimin përfundimtar të ndryshimeve.
Protesta, e cila nisi që në mëngjes, u përshkallëzua pasi deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së u larguan nga Kuvendi dhe ndryshimet për Specialen nuk u hodhën në votimin e dytë dhe përfundimtar. Projektligji kishte kaluar më herët në parim me 91 vota pro.
Protestuesit kërkuan që deputetët të mos largoheshin nga Kuvendi pa përfunduar votimin. Një nga episodet më të forta ndodhi kur deputeti i Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, tentoi të largohej. Ai u kap nga disa protestues dhe u kalua me forcë mbi gardhin e Policisë, duke u kthyer brenda perimetrit të institucionit. Më herët ishte penguar të largohej edhe ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndonëse ai nuk është deputet.
Gjatë mbrëmjes situata doli jashtë kontrollit. Protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe shishe drejt Policisë dhe institucioneve, ndërsa pati përleshje mes palëve. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës, sprej dhe topa uji për të larguar turmën nga zona e Kuvendit. Rrugë pranë institucioneve u bllokuan dhe kontejnerë mbeturinash u përfshinë nga flakët. Sipas deputetëve që ndodheshin brenda godinës, gazi lotsjellës depërtoi edhe në ambientet e Kuvendit.
Policia tha se ndërhyrja u bë për të mundësuar daljen e deputetëve dhe zyrtarëve, pasi një grup protestuesish po i pengonte të largoheshin. Forcat e rendit e shtynë turmën nga sheshi "Skënderbeu", përmes "Nënë Terezës", deri në "Zahir Pajaziti".
Në njoftimin e saj për bilancin e përplasjeve, Policia bëri të ditur se tre protestues u shoqëruan në stacion. Gjashtë efektivë pësuan lëndime të ndryshme, ndërsa 11 qytetarë kërkuan gjithashtu ndihmë mjekësore.
Mes personave të shoqëruar gjatë protestës ishte edhe nipi i ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai foli para kamerave edhe me pranga në duar, ndërsa po largohej nga Policia.
Në total, 17 persona, 11 civilë dhe gjashtë policë, morën ndihmë mjekësore. Shumica e rasteve lidheshin me ekspozimin ndaj gazit lotsjellës, ndërsa tre persona pësuan plagë prerëse në pjesë të ndryshme të trupit. Të gjithë u larguan nga spitali dhe nuk janë në rrezik për jetën.
Në kulmin e tensioneve, Policia i largoi protestuesit nga zona e Kuvendit, por ata u rikthyen më vonë në numër të madh në sheshin "Skënderbeu". Atyre iu bashkuan edhe deputetë të PDK-së dhe AAK-së.
Mes tyre ishte kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, emri i të cilit u brohorit nga turma. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, iu drejtua efektivëve të Policisë me fjalët: "E keni tepruar".
PDK akuzoi Policinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve dhe kërkoi nga Qeveria "përgjegjësi të menjëhershme". PDK dhe Aleanca kërkuan njëkohësisht që deputetët e Vetëvendosjes të riktheheshin në sallë për votimin përfundimtar të ndryshimeve.
"Unë besoj se në çdo orë mund të kthehemi në Kuvend dhe ta votojmë ligjin", deklaroi Haradinaj.
Më vonë protestuesve iu bashkua edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, vetëm disa orë pas takimit pa marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti.
"Ligji është domosdoshmëri. Nuk ka asnjë arsye që ligji të mos aprovohet në dy lexime. Ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, ka të bëjë me një çështje që i kalon përmasat e një partie", deklaroi Hamza.
Në orët e fundit të mbrëmjes tensionet ranë. Policia mbajti një kordon mes protestuesve dhe ndërtesave të Qeverisë e Kuvendit, por nuk ndërhyri më për shpërndarjen e tyre. Rreth gjysmë ore para mesnatës, protestuesit u larguan qetësisht nga sheshi, duke i dhënë fund protestës së së hënës.
Por protesta nuk përfundon këtu. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta të rikthehen të martën në sheshin e Prishtinës. Grumbullimi i radhës është paralajmëruar për në orën 09:00.
Pse nuk u votuan përfundimisht ndryshimet?
Pas protestës qëndron edhe ngërçi politik mes LVV-së dhe PDK-së për rendin e dy votimeve: ndryshimet për Specialen dhe zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
LVV kërkon që Kuvendi të zgjedhë fillimisht presidentin, pasi afati kushtetues përfundon më 6 tetor, dhe më pas të zhvillohet votimi përfundimtar për Specialen. PDK kërkon të kundërtën: fillimisht ndryshimet për Dhomat e Specializuara dhe më pas presidentin.
Albin Kurti dhe Bedri Hamza zhvilluan një takim pasditen e së hënës në përpjekje për të zhbllokuar situatën, por nuk arritën marrëveshje.
Kur u propozua nisma për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara?
Nisma për ndryshimin e ligjit është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ndryshimet e propozuara prekin disa çështje që lidhen me funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që raste të caktuara jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, si dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
Çfarë janë Dhomat e Specializuara?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Ka përfunduar pak para mesnate protesta para Kuvendit të Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Pas tensioneve dhe përplasjeve me Policinë, protestuesit janë shpërndarë qetësisht, por do të rikthehen në shesh nesër në orën 09:00.
Protesta nisi që në mëngjes me kërkesën që ndryshimet për Specialen, të miratuara në parim nga Kuvendi, të kalonin edhe në leximin e dytë dhe përfundimtar. Situata u përshkallëzua pasi deputetët e Vetëvendosjes u larguan dhe votimi nuk u zhvillua.
Gjatë përplasjeve, protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe shishe qelqi, ndërsa Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për t'i larguar nga zona e Kuvendit.
Protesta do të rinisë të martën në orën 09:00, me të njëjtën kërkesë: votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protesta për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara pritet të vijojë edhe të martën në Prishtinë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta që të mblidhen sërish në shesh që në mëngjes.
"Popull i dashur. Kategori të dala nga lufta e UÇK-së. Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës. Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon", thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë pranë Kuvendit edhe në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa situata është qetësuar

Policia e Kosovës tha se gjashtë policë u lënduan dhe 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore gjatë protestës pranë Kuvendit dhe Qeverisë mbrëmjen e 5 tetorit.
Në një njoftim, policia tha se tre protestues u shoqëruan në komisariat. Veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
Policia konfirmoi përdorimin e gazit lotsjellës dhe topit të ujit, duke thënë se ndërhyri ndaj protestuesve që hodhën mjete piroteknike dhe sende të forta drejt institucioneve dhe zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit, protesta po vazhdonte e qetë në orët e vona.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i është bashkuar protestës para Kuvendit të Kosovës, disa orë pas takimit pa marrëveshje me Albin Kurtin për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
"Ligji është domosdoshmëri. Nuk ka asnjë arsye që ligji të mos aprovohet në dy lexime. Ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, ka të bëjë me një çështje që i kalon përmasat e një partie", tha Hamza.
Ai shtoi se ligji "ka të bëjë me mbrojtjen e të kaluarës, të historisë, tash edhe të ardhmes".
Protestuesit kërkojnë që Kuvendi të votojë në lexim të dytë ndryshimet për Specialen, të cilat më herët u miratuan në parim me 91 vota pro.
Protestuesit nuk kanë ndërmend të shpërndahen mbrëmjen e së hënës në Prishtinë. Pas disa orësh përplasjesh me Policinë dhe pasi u shtynë larg ndërtesave të institucioneve, ata janë rikthyer në numër të madh në sheshin "Skënderbeu", pranë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, duke vijuar kërkesën për votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Bashkë me protestuesit janë kthyer pranë Kuvendit edhe deputetë të PDK-së dhe AAK-së, të cilët po kërkojnë që Vetëvendosje të rikthehet në sallë dhe projektligji të hidhet në votim në lexim të dytë.
Mes protestuesve dhe ndërtesave të Qeverisë e Kuvendit është vendosur një numër i madh efektivësh. Policia ka krijuar një kordon para hyrjes në perimetrin e dy institucioneve, por për momentin nuk po tenton ta shpërndajë sërish turmën.
Situata është qetësuar krahasuar me orët e mëparshme, kur protestuesit u përleshën me Policinë dhe u larguan nga "Skënderbeu" përmes sheshit "Nënë Tereza" deri në "Zahir Pajaziti". Policia përdori gaz lotsjellës, sprej dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe shishe.
Përplasjet lanë 12 persona që kërkuan ndihmë mjekësore, 11 civilë dhe një polic. Të gjithë janë liruar nga spitali dhe nuk janë në rrezik për jetën.

Shefi i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i tha Radios Evropa e Lirë se 12 persona – një polic dhe 11 civilë – kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga protesta e sotme.
Sipas tij, kërkesat për trajtim mjekësor kishin të bënin kryesisht me gazin lotsjellës.
Tre prej të lënduarve, sipas Sylës pësuan “plagë prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”.
Sipas tij, të gjithë pacientët e trajtuar janë liruar nga spitali pasi nuk janë në rrezik për jetën.
Nipi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është arrestuar mbrëmjen e sotme gjatë protestës para Kuvendit të Kosovës, ku prej orësh po kërkohet votimi përfundimtar i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sipas Klan Kosovës, ai foli para kamerave edhe pasi ishte vendosur në pranga, duke komentuar ndërhyrjen e Policisë dhe duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë.
"Shoku nuk vlen në këtë regjim. Është veteran, veterani po e arreston një person që i doli ballë", u shpreh ai teksa ndodhej i prangosur.
Arrestimi vjen pas përshkallëzimit të situatës rreth Kuvendit. Protestuesit janë përplasur me Policinë, ndërsa kjo e fundit ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka dislokuar kamionë me ujë.
Tensione para Kuvendit të Kosovës, ndërsa votimi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara ka ngecur në përplasjen mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së për atë që duhet të ndodhë më parë: votimi përfundimtar i ligjit apo zgjedhja e presidentit të ri.
Protestuesit e mbledhur rreth Kuvendit kanë penguar deputetin e Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, që të largohej nga oborri i institucionit. Disa prej tyre e kapën me forcë dhe e 'fluturuan mbi gardhin e vendosur nga Policia, duke e kthyer brenda hapësirës së Kuvendit.
Protestuesit paralajmëruan se nuk do të lejojnë deputetët të largohen pa u votuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Më herët, ata penguan të largohej edhe ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili nuk është deputet. Bislimi u kthye nën përcjelljen e Policisë pasi disa protestues e kapën për krahu.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje që qytetarët t'i bashkohen protestës, ndërsa ka deklaruar se deputetët "mund të dalin vetëm mbi trupat tanë".
Tensionet vijnë pasi Kuvendi miratoi në parim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por votimi përfundimtar në lexim të dytë është përplasur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
LVV kërkon që Kuvendi të zgjedhë fillimisht presidentin, pasi afati kushtetues përfundon më 6 tetor, dhe më pas të votojë në lexim të dytë ndryshimet për Specialen. PDK-ja kërkon të kundërtën: fillimisht votimin përfundimtar të ligjit dhe më pas zgjedhjen e presidentit.
Për të gjetur një marrëveshje, Albin Kurti dhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan një takim, i cili përfundoi pa ndonjë njoftim nëse palët kanë arritur dakordësi. Pas takimit është mbledhur grupi parlamentar i PDK-së.
Instituti i Kosovës për Drejtësi reagoi ndërkohë ndaj incidenteve, duke u kërkuar protestuesve të mos pengojnë fizikisht deputetët. Sipas IKD-së, protesta dhe presioni politik nuk mund të shndërrohen në presion fizik ndaj të zgjedhurve.




Komente
Komento