POLITIKË /

Ministrat e Mbrojtjes të 6 vendeve të Adriatikut dhe Jonit mblidhen në Venecia, Nufi: Të forcojmë bashkëpunimin rajonal

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj nisme si një mekanizëm praktik për përballimin e sfidave të reja të sigurisë dhe mbrojtjes.

Shkruar nga Versus

Ministrat e Mbrojtjes të 6 vendeve të Adriatikut dhe Jonit mblidhen

Ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë janë mbledhur në kuadër të Nismës Adriatiko-Joniane, ku në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Takimi u zhvillua në kushtet e një mjedisi strategjik gjithnjë e më kompleks, ndërsa ministrat diskutuan për rritjen e koordinimit, bashkëpunimit dhe kapaciteteve të përbashkëta në hapësirën Adriatiko-Joniane.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj nisme si një mekanizëm praktik për përballimin e sfidave të reja të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Shqipëria mbështet vijimin e diskutimit për Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), në kuadër të së cilës Evropa merr përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj, në mënyrë komplementare me NATO-n dhe duke ruajtur të fortë lidhjen transatlantike”, u shpreh Nufi.

Sipas tij, ADRION dhe CEDI përfaqësojnë dy drejtime plotësuese të bashkëpunimit.

“ADRION dhe CEDI janë dy drejtime plotësuese: njëri përmes thellimit të bashkëpunimit praktik në Adriatik dhe Jon; ndërsa tjetri përmes forcimit të koordinimit politik e strategjik në Evropë”, deklaroi ministri.

Nufi nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të kontribuojë në mënyrë aktive në forcimin e bashkëpunimit dhe në kthimin e objektivave të përbashkëta në kapacitete dhe rezultate konkrete.

“Vendi ynë mbetet i gatshëm të kontribuojë aktivisht për t’i kthyer ambiciet e përbashkëta në bashkëpunim, kapacitete dhe rezultate konkrete për sigurinë evropiane e më gjerë”, tha ai.

Nisma Adriatiko-Joniane, ADRION, synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus të veçantë edhe te siguria detare.

Në kuadër të saj, gjashtë vendet pjesëmarrëse synojnë të rrisin bashkëpunimin praktik, koordinimin, ndërveprueshmërinë dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta në hapësirën Adriatiko-Joniane./Versus.al

Poll