
Mbledhja e Komisionit të Ligjeve është shoqëruar me debate dhe tone të ashpra mes deputetëve, pas një deklarate të deputetit Olsi Komici ndaj kolegëve të opozitës.
Përplasja nisi gjatë diskutimeve për filmimin me telefon gjatë mbledhjes. Në një moment, Komici iu referua disa deputetëve demokratë me shprehjen “5 demokratë të qelbur”, deklaratë që solli reagimin e menjëhershëm të deputetes demokrate Klodjana Çapja.
“Kujt i thua të qelbur ti?! Të kesh turp se je edhe deputet Kuvendi. Turp të të vijë”, iu drejtua Çapja kolegut të saj.
Debati vijoi me replika mes deputetëve, ndërsa në përplasje u përfshinë edhe Gjin Gjoni dhe Gent Strazimiri.
Strazimiri kërkoi që Komici të kërkonte falje publikisht për gjuhën e përdorur ndaj deputetëve demokratë.
“Problem etik nuk ka nëse mban telefonin hapur dhe filmon. Problem etik është që ky që kam unë përballë të thotë ‘5 demokratë të qelbur’. O tani kërkohet falje publikisht për gjënë”, tha Strazimiri.
Ai mbrojti gjithashtu deputeten Çapja për filmimin e votimit me telefon, duke argumentuar se votimi ishte publik dhe se filmimi nuk përbënte problem etik.
Nga ana tjetër, drejtuesi i mbledhjes, Ulsi Manja, u kërkoi deputetëve të riktheheshin në normalitet dhe të vijonin procedurën e komisionit.
“Zonja deputete, mbledhja është e hapur, ju mund të filmoni çdo gjë, por etikë nuk është. Vota jonë është publike, edhe votimi është i hapur. Ti je deputete e Shqipërisë dhe ka ca rregulla bashkëjetese në komision, përtej forcave që përfaqëson”, deklaroi Manja.
Pas kërkesës për një ndjesë, Komici tha se kërkonte falje vetëm ndaj deputetit Mehdi Leka, duke mos pranuar të kërkonte falje ndaj deputetëve të tjerë.
“Në lidhje me sa u shpreha, i kërkoj falje vetëm zotit Mehdi Leka aty, bashkëpatriotit tim, se të tjerët nuk i njoh”, u shpreh Komici.
Debati i plotë
Olsi Komici: 5 demokratë të qelbur
Klodjana Çapja: Kujt i thua të qelbur ti?! Të kesh turp se je edhe deputet Kuvendi. Turp të të vijë.
Olsi Komici: Trup të të vijë, nxjerr telefonin e filmon aty (e dregon me telefonin e tij).
Klodjana Çapja: Turp të të vijë ty. Kryetar, e dëgjon fjalorin e këtij, që thotë “deputet i qelbur”? Asnjëri s’më nxjerr përjashta, aq më pak ti.
Olsi Komici: Del me telefon kështu.
Gjin Gjoni: Ç’ka problemi? Ti ke qëndrimin tat.
Olsi Komici: Veprim i ulët.
Ulsi Manja: Zoti Komici, ju lutem. A ka mundësi të më lini? Kthehuni në normalitet të seancës. Zoti Gjoni nuk kam nevojë për avokat.
Gjin Gjoni: A do drejtosh seancën? Ka filluar Parlamenti.
Ulsi Manja: Nëse ke orar për të shkuar në seancë, shko. Zonja deputete, mbledhja është e hapur, ju mund të filmoni çdo gjë, por etikë nuk është. Vota jonë është publike, edhe votimi është i hapur. Ti je deputete e Shqipërisë dhe ka ca rregulla bashkëjetese në komision, përtej forcave që përfaqëson.
Gent Strazimiri: Problem etik nuk ka nëse mban telefonin hapur dhe filmon. Problem etik është që ky që kam unë përballë të thotë “5 demokratë të qelbur”. O tani kërkohet falje publikisht për gjënë. Ja ku jemi të gjithë bashkë, ajo e çon ku të dojë telefonin dhe, nëse ti e ke problem, i dal unë për zot. Ty nuk të takon të flasësh ashtu me një zonjë. Ja ku jemi këtu, jemi të gjithë bashkë. Nuk provokon, një mashkull që ia mban telefonin një femre është provokim. Një femër që filmon votimin nuk është problem.
Dëgjohet nga Salla: Turp.
Gent Strazimiri: Turpi është i joti.
Dëgjohet nga Salla: S’ësht etike.
Gent Strazimiri: Ja aty i filmuar je, nëse ke turp, ndërroni votën më mirë. Pres të më kërkojnë falje për fyerjen që u bë, Ulsi. Të shënohet në proces-verbal. Klodiana hap telefonin filmo, fillo që tani.
Ulsi Manja: Të lutem, duro se do të ta jap fjalën. Nuk ju mbaj me zor këtu. Zoti Komici, fjalën e keni ju dhe pastaj kalojmë në votim.
Olsi Komici: në lidhje me sa u shpreha, i kërkoj falje vetëm zotit Mehdi Leka aty, bashkëpatriotit tim se të tjerët nuk i njoh, përveç disave me disa patrulla që nuk e di çfarë përfaqësojnë. Jam i denjë dhe kam aq burrni sa të përfaqësoj gjithësecilin prej tyre, që më ka votuar./Versus.al

