
Tre shtetas shqiptarë janë mes gjashtë personave të arrestuar nga autoritetet austriake, në kuadër të një hetimi disa-mujor për një grup të dyshuar të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua më 1 tetor në zonën e Schwechat, pranë Vjenës, pas një hetimi të nisur në fillim të qershorit nga Zyra e Policisë Kriminale të Vjenës.
Sipas autoriteteve austriake, me mbështetjen e njësisë speciale WEGA, hetuesit lokalizuan një prej personave të dyshuar dhe e mbajtën nën vëzhgim. Pas ndërhyrjes, gjashtë persona u arrestuan.
Në mesin e të arrestuarve janë tre shtetas shqiptarë, 46, 42 dhe 38 vjeç, si dhe tre shtetas italianë, 72, 53 dhe 23 vjeç.
Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e të arrestuarve dhe as rolin që dyshohet se ka pasur secili prej tyre në aktivitetin e grupit.
Gjatë operacionit, policia gjeti një kartë çelësi, e cila i çoi hetuesit drejt një dhome hoteli në Niederösterreich. Kontrolli i dhomës rezultoi me sekuestrimin e rreth 11 kilogramëve kokainë, një shume parash dhe disa telefonave celularë.
Të gjashtë personat janë arrestuar përkohësisht, ndërsa hetimet vijojnë nga Zyra e Policisë Kriminale të Vjenës për zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të arrestuar.
Deri në këtë fazë, autoritetet austriake nuk kanë publikuar të dhëna të tjera mbi identitetet e tre shtetasve shqiptarë./Versus.al

