Dy persona kanë humbur jetën, mes tyre një nxënëse e klasës së 10-të, pasi një autobus shkollor u përmbys gjatë një aksidenti me disa automjete në Florida të SHBA-së.
Disa persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa një prej tyre ndodhet në gjendje kritike.
Aksidenti ndodhi të hënën në mëngjes në zonën qendrore të Floridës, teksa autobusi po transportonte nxënës drejt Winter Haven High School në qytetin Winter Haven.
Sipas sherifit të qarkut Polk, Grady Judd, autobusi po udhëtonte pak pas orës 06:00 kur një automjet që vinte në drejtim të kundërt kaloi vijën e mesit të rrugës dhe u përplas me autobusin pranë rrotave të pasme.
Përplasja bëri që një prej gomave të autobusit të shkëputej. Më pas, autobusi u përplas ballazi me një Jeep, i cili mori flakë. Personi që ndodhej në Jeep humbi jetën.
Në autobus ndodheshin gjithsej 39 persona: 37 nxënës të shkollës së mesme, drejtuesi i autobusit dhe vajza e tij.
Autoritetet bëjnë me dije se pesë deri në shtatë persona u transportuan në spital për shkak të dëmtimeve potencialisht të rënda. Një prej të plagosurve ishte në gjendje kritike në orët e para pas aksidentit.
Ekipet e emergjencës punuan për disa orë për të nxjerrë të plagosurit, për t’i identifikuar dhe për të ribashkuar nxënësit me familjarët e tyre.
Sherifi Grady Judd e cilësoi ngjarjen si një prej aksidenteve më të rënda me autobusë shkollorë në dekadat e fundit.
“Ishte një aksident i tmerrshëm. Ishte një mëngjes tragjik. Një vajzë e bukur e klasës së 10-të humbi jetën”, deklaroi Judd.
Lini një Përgjigje