Protestuesit po përleshen me Policinë teksa tensionet para Kuvendit të Kosovës janë përshkallëzuar pasi nuk u hodhën në votim në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale mbrëmjen e sotme.
Protestuesit kanë vazhduar të hedhin mjete piroteknike në drejtim të ndërtesës së Kuvendit, duke nxitur reagim nga oficerët e Policisë të cilë nga ana e tyre janë përpjekur ti zmbrapsin me gaz lotsjellës.
Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll. Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.
“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarreve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.
Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Largohet LVV, PDK thirrje të kthehen
Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të parë, por votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje. Deputetë të LVV-së u panë duke u larguar rreth orës 19:00, ndërsa PDK-ja u bëri thirrje të kthehen.
LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet para votimit në lexim të dytë, ndërsa PDK-ja këmbëngul që së pari të miratohen ndryshimet. Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Nisma e PDK-së parasheh, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Autoblindat në rrugë
Media në Kosovë shkruan se disa zyrtarë policorë dhe protestues kanë mbetur të lënduar. Edhe kryetari i OVL UÇK-së është parë në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, Njësia Speciale ka dalë me autoblindë dhe me topë me ujë po synon shpërndarjen e protestuesve Situatë e tensionuar vazhdon të jetë edhe në hapësirat përreth Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gazlotsjellës në drejtim të protestuesve. Paraprakisht në rrugën “Agim Ramadani” janë djegur edhe kontejnerë dhe është hedhur gazlotsjellës, derisa protestuesit kanë hedhur mjete prioteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe institucionit të Kuvendit të Kosovës, informon Koha.
© SYRI.net