Ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve bregdetare të Adriatikut dhe Jonit janë mbledhur në Venecia për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në takim mori pjesë edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me homologët nga Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Diskutimet u përqendruan te nevoja për rritjen e koordinimit dhe kapaciteteve të përbashkëta përballë sfidave të një mjedisi gjithnjë e më kompleks të sigurisë.

Gjatë takimit, Nufi theksoi rëndësinë e forcimit të Nismës Adriatiko-Joniane si një mekanizëm praktik për thellimin e bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë mes vendeve pjesëmarrëse.
“Shqipëria mbështet vijimin e diskutimit për Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), në kuadër të së cilës Evropa merr përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj, në mënyrë komplementare me NATO-n dhe duke ruajtur të fortë lidhjen transatlantike”, u shpreh ministri Nufi.
Ai nënvizoi gjithashtu se ADRION dhe CEDI përfaqësojnë dy drejtime plotësuese të bashkëpunimit.

“ADRION dhe CEDI janë dy drejtime plotësuese: njëri përmes thellimit të bashkëpunimit praktik në Adriatik dhe Jon; ndërsa tjetri përmes forcimit të koordinimit politik e strategjik në Evropë”, deklaroi Nufi.
Ministri i Mbrojtjes shtoi se Shqipëria mbetet e gatshme të kontribuojë në mënyrë aktive për shndërrimin e objektivave të përbashkëta në bashkëpunim konkret, zhvillim kapacitetesh dhe rezultate në funksion të sigurisë evropiane dhe më gjerë.
Nisma Adriatiko-Joniane synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me një fokus të veçantë edhe te siguria detare. ADRION përqendrohet në rritjen e bashkëpunimit praktik, koordinimit, ndërveprueshmërisë dhe zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta mes Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë.



