Alessandro Del Piero: Futbolli italian është bërë i mërzitshëm

Alessandro Del Piero ngre zërin për gjendjen e futbollit italian.
Një prej ikonave më të mëdha të “Serisë A” ka shprehur shqetësimin e tij për rënien e tërheqjes së kampionatit italian, duke e krahasuar situatën aktuale me epokën kur ky kampionat konsiderohej qendra e futbollit botëror.
“Futbolli italian nuk të emocionon më. Nuk ta bën zemrën të rrahë fort”, është shprehur Del Piero, duke argumentuar se kampionati ka humbur një pjesë të rëndësishme të shkëlqimit që kishte dikur.
Sipas ish-yllit të Juventusit, në të kaluarën yjet më të mëdhenj të futbollit zgjidhnin Italinë për t’u përballur me më të mirët. Të luaje në “Serinë A” konsiderohej një dëshmi se një futbollist kishte arritur në majën e këtij sporti.
Por situata, sipas Del Pieros, ka ndryshuar ndjeshëm. Talentet dhe yjet e mëdhenj sot orientohen më shumë drejt “Premier League”, “La Liga” dhe kampionateve të tjera të mëdha evropiane.
“Sot jemi shndërruar pothuajse në një zgjedhje të dytë. Nuk jemi më destinacion”, ka deklaruar 51-vjeçari.
Fjalët e Del Pieros rikthejnë në vëmendje debatin për statusin aktual të “Serisë A” në futbollin evropian dhe për arsyet që kanë bërë që kampionati italian të mos ketë më të njëjtën fuqi tërheqëse për superyjet e futbollit si në dekadat e kaluara.




